

Europë- Stuhia e fuqishme Goretti ka goditur Evropën Veriore, duke shkaktuar ndërprerje masive të energjisë elektrike, dëme materiale dhe paralizim të transportit në disa shtete, ndërsa temperaturat e ulëta dhe erërat ekstreme vijojnë të rrezikojnë jetën e qytetarëve.
Erërat e forta përfshinë Francën dhe Britaninë, duke lënë pa energji elektrike qindra mijëra familje. Meteorologët nga Britania deri në Gjermani u bënë thirrje qytetarëve të qëndrojnë brenda banesave, ndërsa autoritetet lëshuan paralajmërime të nivelit më të lartë për motin e keq.
Në Britaninë e Madhe, Shërbimi Meteorologjik lëshoi alarm të kuq për erërat – niveli më i lartë i rrezikut, që rrallë aktivizohet – për ishujt Skilli dhe Kornuall në jugperëndim të Anglisë. Në disa zona priten erëra deri në 160 km/orë, si dhe valë të mëdha që krijojnë kushte tepër të rrezikshme në zonat bregdetare.
Në Francë, kompania e shpërndarjes së energjisë Enedis raportoi se rreth 380 mijë familje mbetën pa rrymë, kryesisht në rajonin e Normandisë, ndërsa BBC njoftoi se në Britani janë prekur rreth 65 mijë familje. Në rajonin Mançe u regjistruan erëra që arritën deri në 216 km/orë.
Stuhia ka shkaktuar rrëzimin e pemëve dhe dëmtime të ndërtesave, megjithatë autoritetet franceze konfirmuan se nuk ka persona të lënduar. Shërbimet emergjente kanë bërë thirrje për shmangie të lëvizjeve dhe përgatitje me furnizime bazë.

Në Britani, është lëshuar gjithashtu alarm portokalli për reshje bore në Uells, Anglinë Qendrore dhe veriun e Anglisë, ku në disa zona priten deri në 30 centimetra borë. Trafiku hekurudhor pritet të ndikohet rëndë, ndërsa qytetarëve u është kërkuar të shmangin udhëtimet jo të domosdoshme.
Ndërkohë, në Gjermani, reshjet e borës dhe erërat e forta në veri pritet të ndikojnë në shkolla, spitale dhe transport. Autoritetet paralajmërojnë për deri në 15 centimetra borë në veri dhe rrezik ngricash në jug, ndërsa temperaturat gjatë fundjavës mund të zbresin deri në -20 gradë Celsius. Në qytete si Hamburg dhe Bremen, disa shkolla janë mbyllur dhe transporti publik ka pësuar vonesa dhe anulime.
Kompania hekurudhore Deutsche Bahn ka paralajmëruar për vonesa të konsiderueshme dhe ka mobilizuar mbi 14 mijë punonjës për pastrimin e borës nga shinat.
Sipas autoriteteve europiane, kushtet ekstreme të motit kanë shkaktuar të paktën tetë viktima në kontinent. Në Shqipëri, policia në Durrës gjeti trupin e një burri pas përmbytjeve, ndërsa në Kosovë raportohen dëme materiale, por pa viktima.
Meteorologët thonë se stuhia Goretti pritet të zgjasë deri të shtunën, ndërsa reshjet e borës do të ndalen të hënën. Ekspertët e lidhin këtë episod ekstrem me ndryshimet klimatike, duke theksuar se megjithëse vitet e fundit kanë qenë më të ngrohta, fenomene të tilla ekstreme pritet të bëhen më të shpeshta.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






