Transmetuar më 09-01-2026, 14:30

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka rekomanduar së fundmi përdorimin e medikamenteve të reja për trajtimin e obezitetit, duke u bërë thirrje kompanive farmaceutike të ulin çmimet dhe të zgjerojnë aksesin, veçanërisht për vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme.

Medikamentet për të cilat OBSH kërkon ulje çmimesh janë Wegovy, Ozempic dhe Mounjaro, të cilat sugjerohen të përdoren si pjesë e një trajtimi të kombinuar që përfshin dietë të shëndetshme, aktivitet fizik dhe mbikëqyrje mjekësore.

Barnat e reja kundër obezitetit, të bazuara në semaglutide dhe tirzepatide, kanë treguar rezultate të konsiderueshme në humbjen e peshës, duke ulur oreksin dhe duke rritur ndjesinë e ngopjes. Megjithatë, studime të fundit tregojnë se efekti i tyre nuk është i qëndrueshëm pas ndërprerjes së trajtimit.

Sipas një analize të publikuar në British Medical Journal, shumica e pacientëve rikuperojnë peshën e humbur brenda 12 deri në 18 muaj, shpesh duke shtuar edhe më shumë kilogramë sesa kanë humbur fillimisht. Ky fenomen njihet si “efekti rebound”, i cili ndodh për shkak të rikthimit të oreksit dhe metabolizmit në nivelet e mëparshme.

Ekspertët paralajmërojnë se ndërprerja e medikamenteve nuk sjell vetëm kthimin e peshës, por edhe humbjen e përfitimeve shëndetësore të arritura gjatë trajtimit, si përmirësimi i nivelit të sheqerit në gjak, kolesterolit dhe presionit arterial.

OBSH dhe specialistët e shëndetit theksojnë se obeziteti është një sëmundje kronike, dhe për shumë pacientë, mbajtja e rezultateve kërkon trajtim afatgjatë dhe ndryshime të qëndrueshme në stilin e jetës.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit