Transmetuar më 09-01-2026, 12:20

Ish-kryeministri Sali Berisha ka kritikuar ashpër qeverinë aktuale, duke deklaruar se ajo përdor drejtësinë për të bllokuar mekanizmat ligjorë dhe nuk ka legjitimitet për të qeverisur.

Në një deklaratë për media, Berisha riktheu kujtime nga periudha 2005-2013, duke theksuar se në atë kohë çdo kërkesë e prokurorisë për heqjen e imunitetit të ministrave apo zyrtarëve është zbatuar pa pengesa, ndërsa sot, sipas tij, qeveria përdor segmentet e drejtësisë për interesa politike.

“Është një lloj grushti shteti që bën qeveria aktuale,” tha Berisha, duke iu referuar edhe situatës së përmbytjeve në Durrës. Ai akuzoi ministrat për mosfunksionim të hidrovorëve dhe dështime në menaxhimin e emergjencave, duke deklaruar se qytetarët janë viktima të “shpifjeve dhe paaftësisë” së qeverisë.

Berisha pohoi gjithashtu se zgjedhjet e fundit janë zhvilluar në mënyrë të parregullt dhe nuk lejojnë rrotacion politik. Ai përmendi raportimet e Këshillit të Europës dhe Parlamentit Europian, sipas të cilave krimi i organizuar në Shqipëri ndikon mbi procesin politik, duke mbajtur në pushtet qeverinë e Ramës.

“Qeveria nuk ka asnjë orë legjitimitet. Është faktuar se ka ardhur nga zgjedhje farsë elektorale dhe nuk i përgjigjet qytetarëve,” përfundoi Berisha.

Fjalimi i Berishës:

"Dhe tani së fundmi nuk heq imunitetet. Do t’u lutem çdo shqiptari të rikthehet pak në vitet 2005-2013. Çdo kërkesë, në mënyrë absolute, e paraqitur nga prokuroria, pavarësisht nga konsideratat politike për atë prokurore, është zbatuar pa asnjë lloj komenti. Përkundrazi, çdo ministër që u kërkua nga prokuroria të hetohet, ka dorëzuar vetë imunitetin. Ja ku është Fatmir Mediu, imunitetin dhe dorëheqjen. Ai tjetri, Lulzim Basha, dy herë imunitetin. Ilir Meta, pa e thirrur vetë ata, më erdhi në zyrë, tha unë tani do jap dorëheqjen, kjo është shpifje që kanë bërë, është një manipulim i shiritit. Por unë nuk do shkoj atje si zëvendëskryeministër, por do shkoj si qytetar i thjeshtë. Ky është kodi i njeriut me integritet që nuk do të rëndojë dhe që nuk ka frikë nga asgjë. Kurse ky përdor drejtësinë, segmente të drejtësisë për të bllokuar drejtësinë.

Është një lloj grushti shteti që bën. Dhe në një akt provokativ ndër më të ulëtit, e kishte dërguar dje Lubi Ballukun tek Ura e Mifolit. Iu bëj thirrje qytetarëe, kudo që të shihni ministra, i gjuani me vezë ose domate. Këta janë shkaktarë kryesorë të fatkeqësive tuaja. I dëgjuat sot, po shpifet. Çfarë po shpifet? Më falni, dy hidrovorët e Durrësit, ai i Hamallës pa asnjë pompë në funksion, të vjedhura pompat dhe motorët e pompave. Këtu i kam. Kanë vënë pompa nafte me 30 litra ujë. Tjetrit nuk i punojnë pompat. Durrësi është përmbytur në mënyrë apokaliptike. Të mos harrojmë se aty ka qenë kënetë, dhe nëse ujërat nuk hiqen, aty nuk jetohet më.

Dhe ky, me shpifje thotë, nuk shpall gjendjen e jashtëzakonshme, sepse gjendja e jashtëzakonshme në ligjet e vendit, në Kushtetutë, ajo e detyron pastaj t’u përgjigjet qytetarëve. E detyron që fondin rezervë ta çojë drejt tyre në radhë të parë. Po jo, thotë, po na përçajnë thotë. Mund të rri dhe të numëroj shumë më shumë, por duhet të them këtu se kjo qeveri nuk ka asnjë orë legjitimitet. Është faktuar se ka ardhur nga zgjedhje farsë elektorale. Është e provuar kjo. Në rekomandimet e Këshillit të Europës për zgjedhjet në Shqipëri, thuhet të ndahet partia nga shteti. Do të thotë që zgjedhjet janë zhvilluar si në kohën e Enver Hoxhës, por me pluralizëm fiktiv. Në Parlamentin Europian, kryetari i delegacionit të PE që monitoroi zgjedhjet, deklaroi se në Shqipëri krimi i organizuar nuk lejon rrotacionin politik. Pra, mban në pushtet Edi Ramën," tha Berisha.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit