Transmetuar më 09-01-2026, 11:27

Tiranë- Një bilanc i rëndë raportohet pas zjarrit që përfshiu tregun e rrobave pranë ish-Uzinës Dinamo, në zonën e “5 Majit” në Tiranë, ku u shkrumbuan mbi 100 dyqane dhe magazina, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme financiare që kapin vlerën e miliona eurove.

Sipas informacioneve paraprake, flakët përfshinë dy kapanonet A dhe B, të cilat kanë një sipërfaqe totale prej rreth 10 mijë metrash katrorë dhe shërbenin si magazina për tregtarë të shumtë.

Burime nga hetimi bëjnë me dije se zjarri dyshohet të ketë nisur nga një defekt elektrik, konkretisht nga një kabull energjie në pjesën e brendshme të njërit prej kapanoneve.

Pamjet e siguruara nga kamerat e sigurisë tregojnë momentin e shpërthimit të flakëve, të cilat janë përhapur me shpejtësi në të gjithë hapësirën, për shkak të materialeve të djegshme dhe afërsisë së dyqaneve me njëri-tjetrin. Ekspertët paraprakisht e lidhin shkakun e zjarrit me instalimet elektrike.

Në vendngjarje ndërhynë forcat zjarrfikëse, të cilat pas disa orësh arritën të vënë flakët nën kontroll, ndërsa nuk raportohet për persona të lënduar.

Autoritetet po vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të shkaqeve të zjarrit dhe për vlerësimin përfundimtar të dëmeve materiale.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit