Transmetuar më 09-01-2026, 09:09

Tiranë- Kryeministri Edi Rama ka mbledhur këtë të enjte Komitetin Ndërministror të Emergjencave Civile për të analizuar dhe orientuar menaxhimin e situatës së krijuar nga përmbytjet e ditëve të fundit në disa zona të vendit.

Gjatë fjalës së tij, Rama tha se situata kërkon solidaritet dhe bashkim forcash, duke nënvizuar se reagimet politike dhe akuzat nuk ndihmojnë përballimin e emergjencës.

“Lumenjtë nuk ulen me protesta, shiu nuk ndalet me shpifje. Njerëzit nuk kanë nevojë për britma dhe ndarje, por për ndihmë, solidaritet dhe bashkim forcash”, u shpreh Kryeministri.

Ai sqaroi se përmbytjet nuk janë një fenomen i izoluar vetëm për Shqipërinë, por pjesë e një situate të gjerë atmosferike që ka prekur edhe vendet fqinje si Italia, Greqia, Mali i Zi, Kosova dhe Kroacia, ku reshjet intensive, temperaturat e ulëta dhe përmbytjet kanë krijuar vështirësi të ngjashme për qytetarët.

Sipas Ramës, shkaku i kësaj situate lidhet me përplasjen e një mase ajri të ftohtë nga veriu me një masë ajri të ngrohtë mbi Mesdhe, duke krijuar një vorbull atmosferike me reshje të vazhdueshme dhe temperatura të ulëta.

“Ndryshimi klimatik nuk do të thotë vetëm vera më të nxehta, por stinë të çrregullta, sisteme atmosferike më të ngadalta, më të paparashikueshme dhe më ekstreme”, theksoi ai.

Sa i përket situatës në terren, Kryeministri bëri me dije se, në rang vendi, janë evidentuar 1,587 banesa me prani uji, 339 persona janë evakuuar, ndërsa 51 familje janë zhvendosur për arsye sigurie. Po ashtu, mbi 13 mijë hektarë tokë bujqësore janë përmbytur.

Rama shtoi se sasia e reshjeve ka nisur të ulet në shumicën e territorit, me përjashtim të qarkut të Durrësit, ku janë regjistruar rreth 40 milimetra shi, duke e cilësuar situatën si pasojë të reshjeve të jashtëzakonshme.

Autoritetet vijojnë monitorimin e gjendjes dhe ndërhyrjet në zonat më problematike, ndërsa strukturat e emergjencave mbeten në gatishmëri të plotë.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit