

SHBA – Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, ka paralajmëruar Shtetet e Bashkuara të Amerikës se mbeten të detyruara ligjërisht të shlyejnë detyrimet financiare ndaj OKB-së, pavarësisht vendimit të administratës Trump për t’u tërhequr nga dhjetëra organizata ndërkombëtare.
Të mërkurën, Shtëpia e Bardhë njoftoi se SHBA-ja do të tërhiqet nga 66 organizata ndërkombëtare, rreth gjysma e të cilave janë të lidhura drejtpërdrejt me Kombet e Bashkuara.
Në një deklaratë për mediat, zëdhënësi i OKB-së, Stephane Dujarric, theksoi se kontributet financiare ndaj buxhetit të rregullt të OKB-së dhe atij të paqeruajtjes përbëjnë një detyrim ligjor për të gjitha shtetet anëtare.
“Kontributet e miratuara nga Asambleja e Përgjithshme janë një detyrim ligjor sipas Kartës së OKB-së për të gjitha shtetet anëtare, përfshirë edhe Shtetet e Bashkuara”, deklaroi Dujarric.
Ai shtoi se, pavarësisht tërheqjes së SHBA-së, programet dhe agjencitë e prekura do të vijojnë funksionimin e tyre normal. “OKB-ja ka përgjegjësinë të ofrojë ndihmë për njerëzit që varen nga ne”, nënvizoi ai.
Vendimi i administratës së presidentit Donald Trump nënkupton gjithashtu ndërprerjen e financimit për një sërë nismash globale që nuk janë pjesë e strukturës së OKB-së.
Që prej fillimit të mandatit të dytë të Trump në krye të Shtëpisë së Bardhë, zyrtarë amerikanë kanë paralajmëruar pezullimin e miliarda dollarëve në ndihma dhe financime për organizata ndërkombëtare, përfshirë OKB-në.
Ndërkohë, edhe vende të tjera perëndimore, si Franca dhe Mbretëria e Bashkuar, po rishikojnë politikat e tyre të financimit humanitar, me disa shtete që po i ridrejtojnë fondet drejt shpenzimeve ushtarake.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






