Transmetuar më 09-01-2026, 08:11

Gjakovë- Një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë pasditen e sotme një fabrikë të prodhimit të dyshekëve në lagjen Piskotë, në Gjakovë.

Flakët kanë shpërthyer në ambientet e fabrikës dhe janë përhapur me shpejtësi, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale. Si masë sigurie, punëtorët janë evakuuar në kohë, ndërsa në vendngjarje kanë ndërhyrë menjëherë ekipet e zjarrfikësve.

Sipas Policisë së Gjakovës, deri në këto momente nuk raportohet për persona të lënduar. Zëdhënësi i policisë, Sheremet Elezaj, bëri me dije se verifikimi i plotë i situatës dhe i pasojave eventuale në njerëz do të realizohet pas shuarjes së plotë të zjarrit.

Nga ana e saj, kompania ka konfirmuar se punëtorët janë nxjerrë në mënyrë të sigurt nga ambientet e fabrikës, ndërsa shkaqet e rënies së zjarrit mbeten ende të paqarta.

Lidhur me ngjarjen ka reaguar edhe kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, i cili e cilësoi zjarrin si një humbje të madhe për kompaninë, qytetin dhe Kosovën.

“Kjo është humbje për kompaninë, për Gjakovën dhe për Kosovën. Edhe në këtë orë, zjarrfikësit po luftojnë për të mbrojtur një nga pjesët vitale të prodhimit, e cila deri tani nuk është dëmtuar”, shkruan Gjini në reagimin e tij.

Autoritetet pritet të nisin hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe shkakut të zjarrit, sapo situata të vihet nën kontroll të plotë.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit