Transmetuar më 09-01-2026, 07:48

Moti i paqëndrueshëm në të gjithë vendin: reshje shiu, dëbore dhe shtrëngata, rënie temperaturash. Nuk pritet borë në Tiranë

Vendi ynë do të ndikohet gjatë ditës së sotme dhe ditës së enjte nga kushte atmosferike të paqëndrueshme, me vranësira të dendura, reshje shiu dhe dëbore, si dhe shtrëngata afatshkurtra në disa zona.

Sipas parashikimeve meteorologjike, në qarqet Shkodër, Kukës dhe Lezhë priten reshje shiu me intensitet mesatar deri lokalisht intensiv, ndërsa në qarkun Dibër reshjet do të jenë kryesisht mesatare.

Në qarqet Durrës, Tiranë dhe Elbasan parashikohen reshje të dobëta deri lokalisht mesatare, ndërsa në qarqet e tjera reshjet do të jenë kryesisht të dobëta. Në disa momente, reshjet do të shoqërohen me shtrëngata, veçanërisht në zonat e qendrës dhe jugut të vendit.

Dëborë në zonat malore dhe verilindje

Në Veri, Lindje dhe Juglindje, në lartësitë mbi 300 metra nga niveli i detit, reshjet do të jenë në formë dëbore.

Në zonën e Alpeve, reshjet e borës pritet të jenë me intensitet mesatar deri të lartë, herë pas here të shoqëruara me stuhi bore.

Në verilindje dhe lindje, dëbora pritet të shfaqet mbi 100 metra lartësi, ndërsa në juglindje mbi 300–400 metra. Në pjesën tjetër të territorit, mbi 400–500 metra, reshjet do të jenë në formë dëbore me intensitet të ulët.

Pas orëve të pasdites, reshjet e shiut dhe dëborës pritet të ndërpriten gradualisht në pjesën më të madhe të vendit.

Temperaturat

Temperaturat minimale dhe maksimale parashikohen si më poshtë:

Zonat malore: nga -8°C deri në 1°C

Zonat e ulëta: nga 1°C deri në 8°C

Zonat bregdetare: nga 4°C deri në 10°C

Era dhe deti

Era do të fryjë me drejtim juglindje – jugperëndim, me shpejtësi mesatare rreth 9 m/s, ndërsa përgjatë vijës bregdetare dhe në zonat luginore pritet të arrijë shpejtësi deri në 18 m/s.

Në det, valëzimi do të jetë i forcës 3–4 ballë. /noa.al

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit