Transmetuar më 08-01-2026, 22:49

Ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj ka deklaruar se kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, është viktimë e drejtpërdrejtë e kryeministrit Edi Rama. Në një intervistë për Syri TV, Ahmetaj tha se arrestimi i Veliajt nuk ka lidhje me drejtësinë, por me interesa politike dhe spektakël publik.

Sipas Ahmetajt, Rama e ka përdorur Veliajn për qëllime politike, duke e ekspozuar dhe degraduar publikisht me qëllim “heqjen qafe” të tij. Ai theksoi se Rama e ka mashtruar Veliajn vazhdimisht, duke e lënë që të arrestohej në zyrë, për të krijuar imazh dhe statistika politike.

Ahmetaj u shpreh se arsyet për të cilat Veliaj mbahet në burg nuk lidhen realisht me çështjen e depozitës, duke shtuar se kjo depozitë, sipas tij, është përgjegjësi e kryeministrit. Ai pretendoi se Rama nuk lejon hetimin e saj, pasi kjo do të ekspozonte lidhjen e tij direkte me çështjen.

Në deklaratën e tij, Ahmetaj theksoi se ndërkohë që Veliaj mbahet në burg, disa asete të personave të tjerë të lidhur me të janë liruar, çka sipas tij tregon standard të dyfishtë dhe përdorim selektiv të drejtësisë.

Ai kritikoi edhe qëndrimin publik të kryeministrit, duke thënë se Rama ka përdorur rrjetet sociale për të nxitur përplasje dhe për të armiqësuar prokurorët me Veliajn, gjë që, sipas Ahmetajt, përbën një presion të papranueshëm mbi drejtësinë.

Ahmetaj theksoi se Erion Veliaj gëzon prezumimin e pafajësisë dhe se askush nuk duhet ta trajtojë si fajtor vetëm mbi bazën e deklaratave politike. Ai shtoi se, ndryshe nga Veliaj, ai vetë nuk ka qenë kurrë pjesë e çështjes së depozitës dhe se, pavarësisht gabimeve personale, ka respektuar shtetin dhe institucionet.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit