

Tiranë — 8 janar 2026
Zjarri i rënë në tregun e rrobave të përdorura në zonën e ‘5 Majit’ në Tiranë vijon të mbajë të angazhuara forca të shumta emergjence, ndërsa flakët kanë përfshirë një magazinë të madhe ku operojnë disa biznese.
Prefekti i Tiranës, Afrim Qendro, deklaroi nga vendngjarja se situata po menaxhohet nga strukturat zjarrfikëse, me mbështetje të shtuar nga bashkitë fqinje dhe ushtria. Aktualisht në terren ndodhen 11 mjete zjarrfikëse dhe rreth 60 efektivë, të cilët po punojnë për shuarjen dhe izolimin e plotë të vatrës së zjarrit.
Sipas prefektit, materialet e përfshira nga flakët janë kryesisht rroba dhe sende të tjera jo të rrezikshme, ndërsa është përjashtuar prania e lëndëve toksike apo shpërthyese. Ai theksoi se nuk raportohet për persona të lënduar dhe se perimetri i zonës është siguruar nga forcat e rendit.
Për shkak të përmasave të objektit dhe sasisë së madhe të materialeve lehtësisht të djegshme, ndërhyrja kërkon kohë dhe furnizim të vazhdueshëm me ujë. Në ndihmë janë thirrur edhe zjarrfikëset e Elbasanit, Vorës dhe njësitë e ushtrisë për logjistikë dhe mbështetje teknike.
Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të shmangin zonën, ndërsa pritet që pas shuarjes së plotë të zjarrit të nisë hetimi për zbardhjen e shkaqeve.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






