Transmetuar më 08-01-2026, 20:33

Detaje të reja janë mësuar lidhur me zjarrin masiv që përfshiu tregun e rrobave të përdorura në zonën e njohur si ‘5 Maji’ në Tiranë, duke shkaktuar dëme të mëdha materiale dhe alarm në zonë.

Sipas informacioneve të siguruara nga gazetari Besar Bajraktaraj, flakët kanë shpërthyer fillimisht në një kapanon dhe më pas janë përhapur me shpejtësi në kapanone të tjerë përreth, për shkak të materialeve lehtësisht të djegshme dhe afërsisë mes strukturave tregtare.

Ndërhyrja e shërbimeve zjarrfikëse është paraqitur e vështirë, pasi zjarri është përhapur në një sipërfaqe të gjerë dhe në disa kapanone njëkohësisht. Shtëllunga të mëdha tymi janë ngritur mbi zonë, ndërsa ekipet e emergjencës janë detyruar të rifurnizohen vazhdimisht me ujë për të mbajtur situatën nën kontroll.

Vatra e zjarrit ndodhet larg rrugës kryesore, çka e ka komplikuar më tej ndërhyrjen e mjeteve zjarrfikëse. Në afërsi ndodhen pallate banimi dhe tregu i fruta-perimeve, por për momentin flakët nuk kanë rrezikuar drejtpërdrejt banesat.

Autoritetet konfirmojnë se deri tani nuk raportohet për persona të lënduar. Policia dhe zjarrfikësit u kanë bërë thirrje qytetarëve të qëndrojnë larg zonës për arsye sigurie, ndërsa energjia elektrike është ndërprerë për të shmangur rreziqe të tjera.

Shkaqet e sakta të zjarrit mbeten ende nën hetim dhe pritet një njoftim zyrtar nga autoritetet përkatëse në orët në vijim.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit