

DURRËS- Prokuroria e Durrësit ka nisur hetimin, pas situatës të shkaktuar nga moti i keq, nga i cili u përmbytën qindra banesa. Nga kjo situatë u shënua edhe viktima e parë. Prokuroria po heton për veprën penale “shkatërrim i pronës përmes përmbytjes”.
Ajo ka dyshime se me 250 hektarë tokë dhe mbi 1000 familje janë përmbytur si pasojë e mosfunksionimit të Hidrovorit. Tenderi për ndërtimin e Hidrovorit të ri, me vlerë 19 mln euro u fitua nga bashkimi i kompanive 2T, Adriatik dhe vëllezerit Hysa.
Kompania Adriatik zotërohet nga Petrit Kovaçi në masën 50%. Ai është babai i Spartak Kovaçit, i cili rezulton të jetë ish-drejtor i Përgjithshëm i Ujësjellës Kanalizimeve. Ndërsa, kompania 2T zotërohet në masën 20% nga Artan Sako, vëllai i Gramoz Sakos, aktualisht kryetar i Bashkisë së Tepelenës. Ai ka qenë më herët drejtues i Gardës së Republikës.
Nga të dhënat e deritanishme, viktima i cili ishte punonjës i Ndërmarrjes Komunale Plazh ka shkuar në zonë për të verifikuar situatën e krijuar nga reshjet dhe vërshimet e ujit. Dyshohet se ai ka humbur jetën, pasi është marrë nga rrjedha e ujit.
Ja çfarë thotë zyrtarisht Prokuroria e Përgjithshme
Përmbytjet, Prokuroria e Durrësit nis hetimet për tre vepra penale nga ‘Shpërdorim detyre’ tek ‘Shkatërrimi pronës nga pakujdesia’
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Durrës regjistron kryesisht procedim penal për tre vepra penale “Shpërdorimi i detyrës”, “Shkatërrimi i pronës me përmbytje” dhe “Shkatërrimi i pronës nga pakujdesia” të parashikuar nga nenet 153, 161 dhe 248 të Kodit Penal pas përmbytjeve të ndodhura në disa rrugë të qytetit të Durrësit dhe zonat përreth tij.
Regjistrimi i këtij procedimi penal erdhi pas situatës së krijuar përgjatë dy ditëve ku për shkak të rreshjeve të vazhdueshme u krijuan problematika reale, të dukshme për personat fizikë, për mirëqënien e tyre por edhe dëme të konsiderueshme.
Gjendja e krijuar e cila ka penguar zhvillimin normal të aktiviteteve arsimore, shtetërore, shëndetësore, ka krijuar bllokimin e rrugëve urbane dhe interurbane, përmbytjen e banesave dhe vendosjen në rrezik real të jetës së qytetarëve, përmbytjen e institucionit penitenciar duke vendosur në gjendje emergjente të gjithë qarkun në të cilin ushtron juridiksionin territorial dhe lëndor Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, jep të dhëna të mjaftueshme dhe të arsyeshme se jemi përpara një fakti penal.
Gjithashtu, nga të dhënat e deritanishme rezulton se si pasojë e kësaj situate dyshohet se ka ardhur për pasojë dhe vdekja e shtetasit A.H., i cili rezulton të jetë punonjës i Ndërmarrjes Komunale Plazh. Nga të dhënat paraprake ka dyshime që ai ka humbur jetën për shkak se është marrë nga rrjedhja e ujit e shkaktuar në vend.
Në këto kushte, me qëllim thellimin në shkaqet që kanë çuar në shaktimin e këtyre pasojave dhe analizimin në mënyrë ezauruese nëse shkaqet kanë qenë tërësisht natyrore apo kanë ardhur si pasojë e pakujdesisë apo mospërmbushjes së detyrës nga ana e organeve kompetente shtetërore apo të vetëqeverisjes vendore, merret iniciativa për regjistrimin e këtij procedimi penal. Ndërkohë, hetimi i mëtejshëm do të japë përfundime të drejta mbi ekzistencën ose jo të përgjegjësisë penale.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






