

Durrës, 8 janar 2026 – Prokuroria e Durrësit ka nisur hetimet pas situatës së rëndë të shkaktuar nga moti i keq, që solli përmbytjen e qindra banesave dhe shënimin e viktimës së parë. Hetimi po zhvillohet për veprën penale “shkatërrim i pronës përmes përmbytjes”.
Sipas dyshimeve paraprake, rreth 250 hektarë tokë bujqësore dhe mbi 1000 familje janë përmbytur si pasojë e mosfunksionimit të hidrovorit. Në fokus të hetimeve është edhe projekti për ndërtimin e hidrovorit të ri, një tender me vlerë rreth 19 milionë euro, i fituar nga bashkimi i kompanive “2T”, “Adriatik” dhe “Vëllezërit Hysa”.
Kompania “Adriatik” zotërohet 50 për qind nga Petrit Kovaçi, babai i Spartak Kovaçit, ish-drejtor i Përgjithshëm i Ujësjellës-Kanalizimeve. Ndërkohë, kompania “2T” zotërohet 20 për qind nga Artan Sako, vëllai i Gramoz Sakos, aktualisht kryetar i Bashkisë së Tepelenës dhe ish-drejtues i Gardës së Republikës.
Nga të dhënat e deritanishme, viktima, punonjës i Ndërmarrjes Komunale Plazh, kishte shkuar në zonë për të verifikuar situatën e krijuar nga reshjet intensive dhe vërshimi i ujit. Dyshohet se ai ka humbur jetën pasi është marrë nga rrjedha e fortë e ujit. Hetimet vijojnë për të përcaktuar përgjegjësitë ligjore.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






