Transmetuar më 08-01-2026, 14:33

Prishtinë, 8 janar 2026 – Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj, u ka bërë thirrje qytetarëve që udhëtojnë drejt Kosovës të tregojnë kujdes të shtuar për shkak të kushteve dimërore dhe reshjeve të borës që kanë përfshirë vendin.

Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ambasadori Malaj theksoi se është e domosdoshme që automjetet të jenë të pajisura me goma dimri dhe zinxhirë, veçanërisht për udhëtimet në zonat malore dhe turistike.

Ai nënvizoi se mungesa e pajisjeve të duhura rrezikon sigurinë e udhëtarëve dhe pengon qarkullimin e automjeteve të tjera në rrugë. Sipas tij, raste të tilla shkaktojnë bllokime dhe vështirësojnë lëvizjen gjatë sezonit dimëror.

“Rreziku nuk është vetëm për veten dhe familjet tuaja, por edhe për të tjerët që qarkullojnë në rrugë. Shpeshherë, për shkak të mungesës së pajisjeve të duhura, mbetja në rrugë pengon edhe qarkullimin e të tjerëve”, shkroi Malaj.

Ambasadori apeloi që udhëtarët të planifikojnë udhëtimin me përgjegjësi, të respektojnë rregullat e sigurisë rrugore dhe të shijojnë Kosovën në mënyrë të sigurt, duke e cilësuar vendin si një destinacion tërheqës për turizmin dimëror.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit