

Uashington, 8 janar 2026 – Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka nënshkruar një vendim ekzekutiv për tërheqjen e SHBA-së nga 66 organizata ndërkombëtare, të cilat administrata i ka cilësuar si “joefektive, të dëmshme ose në kundërshtim me interesat amerikane”.
Në mesin e organizatave nga të cilat SHBA-ja është tërhequr janë Komisioni i Venecias i Këshillit të Evropës, Mekanizmi Ndërkombëtar për Tribunale Penale (pasardhësi i Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë), UN Women, si dhe Këshilli për Bashkëpunim Rajonal (RCC).
RCC-ja është një organizatë ku bëjnë pjesë vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë Kosovën, dhe synon forcimin e bashkëpunimit politik, ekonomik dhe shoqëror në rajon, si dhe afrimin e tij me Bashkimin Evropian.
Në Komisionin e Venecias, SHBA-ja kishte statusin e vëzhgueses. Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Enver Hasani, vlerësoi se largimi i SHBA-së nga ky institucion do të ulë ndikimin e rekomandimeve të tij në Ballkanin Perëndimor. Ai theksoi se në disa raste, përfshirë Kosovën, opinionet e Komisionit janë ridërguar për sqarime shtesë, pjesërisht për shkak të rolit të mëhershëm të SHBA-së në fushën e sundimit të ligjit.
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, deklaroi se organizatat nga të cilat SHBA-ja po largohet janë “antiamerikane ose të padobishme”, duke shtuar se Uashingtoni nuk do të vazhdojë të shpenzojë burime dhe kapital diplomatik në institucione që nuk i shërbejnë interesave kombëtare.
Përveç këtyre, SHBA-ja është tërhequr edhe nga disa struktura të Kombeve të Bashkuara, përfshirë Departamentin për Çështje Ekonomike dhe Sociale, Komisionin e Ligjit Ndërkombëtar, Fondin e OKB-së për Demokraci dhe zyra të posaçme që merren me të drejtat e fëmijëve dhe dhunën seksuale në konflikt.
Sipas njoftimit të Shtëpisë së Bardhë, ky vendim pasqyron qasjen e administratës Trump për t’i dhënë përparësi interesave amerikane dhe për të ndalur, siç u tha, “subvencionimin e burokratëve globalistë”.
Administrata amerikane ka paralajmëruar se rishikimi i pjesëmarrjes së SHBA-së në organizata të tjera ndërkombëtare do të vazhdojë.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






