

Policia e Tiranës ka arrestuar një 28-vjeçar, i dyshuar për përndjekje dhe kanosje të një 37-vjeçareje përmes rrjeteve sociale, duke i shkaktuar asaj ankth dhe gjendje paniku.
Sipas uniformave blu, i riu me iniciale L. K., banues në fshatin Halilaj, Fushë Krujë, kishte krijuar disa llogari false në platformat “Instagram” dhe “TikTok”, përmes të cilave ushtronte përndjekje të vazhdueshme ndaj viktimës.
Arrestimi u krye në kuadër të operacionit policor të koduar “Insistimi”, pas kallëzimit të bërë nga shtetasja e dëmtuar. Specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve Kibernetike, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Krujë, bënë të mundur lokalizimin dhe ndalimin e autorit të dyshuar.
Gjatë kontrollit të ushtruar, policia sekuestroi dy telefona celularë, në të cilët rezultonin aktive llogaritë false të përdorura për përndjekjen dhe kanosjen e 37-vjeçares.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës, për vijimin e veprimeve të mëtejshme ligjore.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






