Transmetuar më 08-01-2026, 11:14

Policia e Shkodrës ka finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Neonët 6”, duke zbuluar një tjetër ambient të përshtatur për kultivimin e bimëve narkotike në ambiente të mbyllura. Me këtë rast, shkon në 10 numri i rasteve të goditura në kuadër të operacionit të gjerë “Neonët”.

Si rezultat i këtij operacioni, janë shpallur në kërkim dy shtetas, të dyshuar se kishin përshtatur një banesë në lagjen “Ndoc Mazi”, për kultivimin e kanabisit me pajisje elektrike të furnizuara përmes lidhjeve të paligjshme të energjisë elektrike. Në kërkim janë shpallur shtetasi A. V., 35 vjeç, banues në Shkodër, si dhe një 16-vjeçar, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, kryer në bashkëpunim.

Gjithashtu, janë proceduar penalisht dy punonjës të OSHEE-së, shtetasit B. C., 33 vjeç dhe G. A., 63 vjeç, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, kryer në bashkëpunim, si dhe shtetasja E. H., 22 vjeçe, banuese në Pukë, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”.

Operacioni u zhvillua në kuadër të planit të masave për goditjen e kultivimit të bimëve narkotike në ambiente të mbyllura, bazuar në informacione të siguruara në rrugë operative. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Shkodër, në bashkëpunim me specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare, ushtruan kontrolle intensive në ambiente të dyshuara.

Gjatë kontrolleve, u zbulua një banesë e përshtatur për kultivimin dhe tharjen e bimëve narkotike kanabis, ku u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 60 bimë të dyshuara kanabis, 57 pajisje elektrike që shërbenin për kultivimin e tyre, si dhe 4 telefona celularë.

Ndërkohë, nga kontrolli në banesën e shtetasit H. M., 49 vjeç, ngjitur me ambientin e kultivimit, i ndaluar më herët më 11.12.2025 për disa vepra penale, u gjetën dhe u sekuestruan një pistoletë sportive pneumatike pa numër serial, municion luftarak, si dhe një automjet.

Policia bën me dije se vijon puna për kapjen e dy shtetasve të shpallur në kërkim dhe për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale, ndërsa materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Shkodrës për veprime të mëtejshme ligjore.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit