Transmetuar më 08-01-2026, 10:32

Reshjet intensive të orëve të fundit kanë shkaktuar rritje të ndjeshme të niveleve të lumenjve në disa qarqe të vendit, duke sjellë përmbytje të tokave bujqësore dhe banesave, rrëshqitje dherash, dëmtime infrastrukturore dhe bllokime të akseve rrugore.

Sipas përditësimit më të fundit nga Ministria e Mbrojtjes, situata më problematike paraqitet në qarqet Shkodër, Lezhë, Durrës, Fier, Berat dhe Gjirokastër, ndërsa në qarqe të tjera situata mbetet nën monitorim ose pa rrezik të menjëhershëm.

Strukturat e Mbrojtjes Civile dhe Forcat e Armatosura, nën koordinimin e Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile dhe Ministrisë së Mbrojtjes, janë angazhuar në terren për menaxhimin e emergjencës, evakuimin e banorëve dhe minimizimin e dëmeve.

Situata sipas qarqeve:

Shkodër:Në fshatin Obot, niveli i ujit ka arritur rreth 60 cm mbi rrugën kryesore, duke lejuar qarkullimin vetëm për mjete të tonazhit të lartë. Janë përmbytur sipërfaqe të konsiderueshme toke bujqësore, ndërsa 15 banesa në Vaun e Dejës janë të rrethuara nga uji. Në Malësinë e Madhe raportohen rrugë të bllokuara, ndërsa në Fushë-Arrëz janë evidentuar rrëshqitje dherash dhe rënie gurësh.

Lezhë:Rreth 3000 hektarë tokë bujqësore janë nën ujë. Dy familje janë evakuuar, ndërsa rreth 100 banesa janë të rrethuara nga uji në njësitë Dajç, Babullojë, Balldren dhe Shënkoll. Janë raportuar rrëshqitje dherash në Torovicë dhe Tresh, si dhe po punohet për riparimin e argjinaturës së lumit Droje në fshatin Dukagjin.

Vlorë:Niveli i lumit Vjosë në Novoselë ka kaluar mbi 8 metra. Janë evakuuar 13 familje pranë Urës së Mifolit dhe në zonën e Novoselës, pa prezencë uji në banesa.

Durrës:Situata paraqitet në përmirësim, por vijon puna për largimin e ujit nga rreth 800 banesa dhe objekte, kryesisht në zonën e ish-Kënetës, Shkozetit, Nishtullës dhe pranë burgut. 250 persona janë strehuar në Shtëpinë e Pushimit të Forcave të Armatosura, ndërsa 55 të tjerë në Kovalishencën e Ministrisë së Brendshme. Lumenjtë Erzen dhe Ishëm, si dhe kanali i Tones, ndodhen në kuota maksimale, ndërsa disa rrugë të qytetit mbeten të bllokuara.

Krujë:Si pasojë e çarjes së argjinaturës së lumit Droje, janë regjistruar vërshime në fshatrat Dukagjin i Ri dhe Miliska. Në këtë të fundit, uji ka hyrë në banesa, duke prekur rreth 50 familje.

Shijak:Prani uji në 15 banesa, kryesisht në njësitë administrative Xhafzotaj, Maminas dhe Gjepalaj.

Gjirokastër:Reshjet e dendura kanë shkaktuar rrëshqitje dherash në aksin Tepelenë–Gjirokastër, ku qarkullimi është i kufizuar. Raportohet gjithashtu për nivele të larta të Vjosës në Memaliaj dhe Përmet.

Kukës, Tiranë dhe Korçë:Lumenjtë ndodhen në kuota të larta, por pa rrezik të menjëhershëm. Në Korçë, disa rrugë në Devoll, Pogradec dhe Prrenjas janë të pakalueshme për shkak të rrëshqitjeve të dherave dhe bllokimeve.

Berat dhe Fier:Në Berat janë përmbytur rreth 95 hektarë tokë bujqësore dhe është shënuar rritje e nivelit të lumit Osum. Në Fier, rreth 200 hektarë tokë bujqësore janë nën ujë dhe 27 banesa janë prekur nga përmbytjet.

Angazhimi në terren:

Janë angazhuar rreth 150 efektivë të Forcave të Armatosura, mbi 20 mjete të tonazhit të rëndë, 10 gomone shpëtimi dhe 15 pompa thithëse, kryesisht në qarqet më të prekura.

Ministria e Mbrojtjes u bën thirrje banorëve të zonave të prekura të ndjekin udhëzimet e autoriteteve, të shmangin lëvizjet e panevojshme dhe të raportojnë çdo situatë rreziku.

Situata vijon të monitorohet në mënyrë të pandërprerë, ndërsa strukturat përgjegjëse mbeten në gatishmëri të plotë.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit