

Një person i shpallur në kërkim për veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve është arrestuar në Durrës, në kuadër të operacionit policor të koduar “Masa”.
Operacioni u finalizua nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale, pas kontrolleve të bazuara në informacione të siguruara në rrugë operative.
Si rezultat i veprimeve policore, u vu në pranga shtetasi Erjon (alias Arjan) Kullolli, 45 vjeç, banues në Xhafzotaj, Shijak, i cili ishte shpallur në kërkim që prej janarit 2025.
Gjykata e Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës kishte caktuar ndaj tij masën e sigurisë “arrest në burg” për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Sipas policisë, në janar 2025 ishte ushtruar kontroll në banesën e tij, pas dyshimeve se shiste lëndë narkotike, ku u sekuestrua një sasi kanabisi. Në atë moment, 45-vjeçari nuk u gjet në banesë dhe u shpall në kërkim.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme. /noa.al
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






