Transmetuar më 08-01-2026, 09:52

08 janar 2026

Reshjet e dendura të dëborës kanë shkaktuar probleme të konsiderueshme në qarkullimin e mjeteve në Rrugën e Arbrit, veçanërisht në zonën e Tunelit të Murrizit.

Sipas raportimeve, që prej orës 07:30 disa automjete kanë dalë nga rruga dhe kanë përfunduar në kanal, ndërsa janë regjistruar edhe përplasje mes mjeteve për shkak të rrëshqitjes në borë. Situata është paraqitur problematike si në drejtim të Tiranës, ashtu edhe në krahun e Klosit, ku qarkullimi ka qenë i bllokuar për më shumë se një orë.

Vështirësi të theksuara janë konstatuar edhe në segmentin Ura e Vashës–Peshkopi, si dhe në zonën e Tunelit të Qafë-Buallit, ku dhjetëra automjete kanë mbetur të bllokuara për shkak të trashësisë së dëborës dhe ngricave.

Policia Rrugore ndodhet në terren dhe po punon për menaxhimin e situatës dhe parandalimin e aksidenteve të tjera. Megjithatë, përkeqësimi i kushteve atmosferike dhe temperaturat e ulëta po e bëjnë gjithnjë e më të vështirë lëvizjen në këtë aks rrugor.

Autoritetet u kanë kërkuar firmave të mirëmbajtjes të ndërhyjnë urgjentisht me hedhjen e kripës dhe materialeve antirrëshqitëse, me qëllim garantimin e sigurisë rrugore.

Ndërkohë, Policia u bën apel drejtuesve të automjeteve të përdorin goma dimërore dhe zinxhirë, si dhe të tregojnë kujdes maksimal gjatë qarkullimit në zonat e prekura nga dëbora.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit