Transmetuar më 08-01-2026, 09:11

Reshjet e dendura të shiut kanë përfshirë qarkun e Gjirokastrës, duke shkaktuar rrëshqitje dherash, bllokime rrugësh dhe përmbytje banesash në disa zona.

Në aksin nacional Gjirokastër–Tepelenë, në vendin e quajtur Shkalla e Zezë, qarkullimi vijon të kryhet me një sens, ndërsa lëvizja e automjeteve po menaxhohet nga shërbimet e Policisë së Shtetit.

Segmentet e tjera të rrugëve nacionale janë të kalueshme, por raportohet prani uji në akset:

Gjirokastër–Kakavijë

Ura e Kardhiqit–Skërficë

Ura e Leklit–Këlcyrë

Në rrugët e brendshme të qytetit vijon të ketë prani inertesh, ndërsa rrëshqitje dherash janë evidentuar pranë banesave dhe rrugëkalimeve në lagjet Cfakë, Manalat, Dunavat dhe Granicë.

Problematika janë raportuar edhe në zonat rurale. Në fshatin Labovë e Zhapës, Njësia Administrative Odrie, ka rrëshqitje dherash pranë dy banesave. Vështirësi në qarkullim janë shënuar edhe në rrugët që lidhin fshatrat Dhoksat–Qesarat–Këllëz, Mingul e Gjat në Njësinë Administrative Lunxhëri, si dhe në fshatrat Tërbuq dhe Labovë e Zhapës.

Një familje në lagjen Manalat është evakuuar nga banesa për shkak të rrezikut nga rrëshqitjet e dheut dhe është sistemuar pranë të afërmve.

Situata problematike është shtrirë edhe në qarkun e Përmetit. Në Njësinë Administrative Piskovë, fshati Rapckë, ka rrëshqitje dherash pranë dy banesave, ndërsa në Njësinë Administrative Frashër, rruga nga kryqëzimi i fshatit Kreshovë drejt Frashërit është bllokuar në tre segmente nga inertet.

Në lagjen “Sede” të qytetit të Përmetit, për shkak të reshjeve të dendura, janë përmbytur katër banesa. Tre familje janë sistemuar nga bashkia në një konvikt, ndërsa një familje është strehuar tek të afërmit.

Në Bashkinë Këlcyrë, në fshatin Malëshovë, raportohen rrëshqitje dherash, ndërsa në Bashkinë Tepelenë, rruga drejt fshatit Mezhgoran ishte bllokuar përkohësisht, por pas ndërhyrjes së bashkisë është bërë e kalueshme.

Ndërkohë, në disa zona vijojnë ndërprerje të herëpashershme të energjisë elektrike, ndërsa autoritetet lokale mbeten në terren për monitorimin e situatës.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit