

KUKËS- Që në orët e para të mëngjesit, qyteti i Kukësit është zgjuar i zbardhur, ndërsa temperaturat kanë zbritur nën 0 gradë Celsius. Bora ka krijuar shtresën e parë në territorin e qytetit, pa shkaktuar probleme apo dëme serioze në qarkullim.
Ndërkohë, reshjet e borës janë më të dendura në zonat e thella malore, si Valbona dhe Shishtaveci, ku trashësia e borës ka kaluar mbi 10 centimetra. Reshjet e shiut kanë sjellë vërshime dhe dalje të përrenjve e lumenjve nga shtrati, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme në infrastrukturën rrugore dhe duke izoluar qindra banorë.
Nga njoftimet zyrtare të Bashkisë Kukës, raportohen rrugë të bllokuara në njësitë administrative Zapod, Shishtavec, Topojan dhe Malzi. Gjithashtu janë konstatuar dëmtime në disa ura, përfshirë urën e fshatit Orgjost dhe urën në lagjen Drazh të njësisë administrative Bushtricë.
Në fshatin Malqenë, njësia administrative Ujmisht, rrëshqitja e shpatit rrezikon banesën e shtetasit Istref Hoxha. Po ashtu, në njësinë administrative Zapod, ka ndodhur shkarja e një masivi të madh shkëmbinjsh dhe inertesh, ndërsa ekipet janë në terren dhe po punojnë për normalizimin e qarkullimit.
Autoritetet bëjnë me dije se po monitorojnë situatën në terren, ndërsa u bëjnë thirrje banorëve të tregojnë kujdes, veçanërisht në zonat e thella malore dhe në akset rrugore të prekura.
Dibër- Pas reshjeve të shiut, në të gjithë qarkun e Dibrës kanë nisur reshjet e dëborës. Në zonat e thella malore, si Njësia Administrative Lurë, Kala e Dodës, Muhurr, Selishtë, Zall-Dardhë, Reç, Trebisht, Ostren, si edhe në zonën e Martaneshit, raportohet se trashësia e dëborës ka kaluar 10 centimetra.
Si pasojë, kanë vijuar vështirësitë në qarkullimin e mjeteve, veçanërisht në rrugët që lidhin fshatrat e thella. Situata është rënduar edhe nga rrëshqitjet e dherave dhe shembjet e pjesshme të rrugëve në disa njësi administrative të qarkut.
Sipas informacionit të marrë pranë bashkive, strukturat vendore janë në terren dhe po punojnë për hapjen e rrugëve dhe normalizimin e situatës, me qëllim garantimin e lëvizjes dhe sigurisë së banorëve.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






