Transmetuar më 08-01-2026, 08:14

Waldshut-Tiengen, Gjermani — 8 janar 2026

Një familje shqiptare është përfshirë në një aksident të rëndë rrugor në Gjermani, teksa po kthehej nga vendlindja drejt vendbanimit të saj. Ngjarja ka ndodhur në orët e para të mëngjesit në zonën Liedermatte, në Waldshut-Tiengen, pranë kufirit gjermano-zviceran.

Sipas informacioneve paraprake, një kamion është përplasur me automjetin ku udhëtonte familja shqiptare, vetëm pak minuta para se ata të mbërrinin në destinacion. Si pasojë e përplasjes janë plagosur gjithsej gjashtë persona, mes tyre tre të mitur.

Familja përbëhej nga pesë anëtarë, ndërsa i plagosur ka mbetur edhe drejtuesi i kamionit. Të gjithë të aksidentuarit kanë pësuar lëndime serioze, ndërsa një person mbeti i bllokuar në automjet dhe u nxor nga forcat zjarrfikëse pas një ndërhyrjeje emergjente.

Mediat lokale raportojnë se shkaqet e aksidentit mbeten ende të paqarta dhe janë duke u hetuar nga autoritetet gjermane. Familja shqiptare mësohet se është me origjinë nga fshati Ratkoc i Rahovecit.

Mes të plagosurve janë edhe fëmijë të moshës pesë muajsh dhe tre vjeç. Disa prej tyre janë transportuar me helikopterë shpëtimi drejt spitaleve të specializuara për fëmijë, ndërsa gjendja e tyre shëndetësore vijon të monitorohet nga mjekët.

Autoritetet nuk kanë dhënë ende detaje të mëtejshme mbi rrethanat e plota të ngjarjes.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit