Transmetuar më 08-01-2026, 07:44

Tiranë — 8 janar 2026

Brenda vitit 2026, të gjitha bashkitë në vend pritet të përfshihen në sistemin e ri informatik të Kadastrës Fiskale, një platformë që do të automatizojë llogaritjen e taksës mbi ndërtesën për individët dhe bizneset. Ky sistem synon të unifikojë të dhënat e pasurive të paluajtshme dhe të standardizojë mënyrën e përllogaritjes së detyrimeve vendore.

Sipas dokumentacionit zyrtar, bashkitë do të gjenerojnë faturat e reja të taksës së ndërtesës drejtpërdrejt nga sistemi, ku do të pasqyrohen qartë sipërfaqja e apartamentit, çmimi referues për metër katror sipas zonës kadastrale dhe vlera bazë e tatueshme e pronës. Të gjitha të dhënat do të hidhen nga njësitë vendore dhe do të përpunohen automatikisht nga platforma.

Modeli i ri i faturës, i publikuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Taksës së Pasurisë, sjell më shumë transparencë krahasuar me faturën aktuale. Për herë të parë, qytetarët do të shohin të detajuara në faturë: numrin e njësisë së ndërtesës, numrin e pasurisë në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës, zonën kadastrale, sipërfaqen e banimit, vlerën e tatueshme dhe shumën përfundimtare të taksës që duhet paguar.

Një shembull konkret ilustron mënyrën e përllogaritjes: në zonën e Shëngjergjit në Tiranë, për një apartament prej 76 m² me çmim referues 23,000 lekë për metër katror dhe shkallë takse 0.05%, detyrimi vjetor për vitin 2026 rezulton 874 lekë. Fatura nuk përfshin gjoba apo kamatëvonesa dhe përcakton qartë afatet e pagesës.

Aktualisht, për individët, taksa e ndërtesës reflektohet në faturën e ujit të pijshëm dhe paguhet çdo muaj, ndërsa për bizneset detyrimi ndahet në dy këste, me afat pagese deri më 30 qershor dhe 31 tetor.

Sistemi i Kadastrës Fiskale ende nuk është i integruar plotësisht në të gjitha bashkitë, por autoritetet parashikojnë që brenda vitit të përfshihen të gjitha njësitë administrative. Platforma lejon renditjen dhe përditësimin e të dhënave sipas kritereve të ndryshme, si sipërfaqja, përdorimi i pronës, zona kadastrale dhe statusi i njësisë.

Metodologjia e vlerësimit të pronës bazohet në sipërfaqen, çmimin referues, koeficientët për kategorinë e vlerës dhe, për pronat rezidenciale, koeficientin e privatizimit. Për banesat pa të dhëna të plota për sipërfaqen, përdoret sipërfaqja e prezumuar. Baza e taksës shumëzohet me shkallët përkatëse: 0.05% për banim, 0.2% për veprimtari ekonomike dhe 30% e shkallës për ndërtesat e papërfunduara me leje ndërtimi.

Njësitë vendore kanë të drejtë të aplikojnë nënndarje zonale, duke rregulluar shkallën e taksës brenda kufijve ±30%. Në rastet e bashkëpronësisë, detyrimi ndahet sipas përqindjes takuese të secilit pronar.

Sipas parashikimeve zyrtare, brenda vitit 2026 në Kadastrën Fiskale do të regjistrohen rreth 2.5 milionë pasuri të paluajtshme. Ndërkohë, zbatimi i taksës së re mbi pasuritë e paluajtshme, e planifikuar fillimisht për vitin 2026, është shtyrë për në vitin 2028, pas hartimit të një projektligji të ri që pritet të miratohet gjatë këtij viti.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit