

Eksperti i sigurisë Dritan Goxhaj ka folur mbi operacionin amerikan në Venezuelë, duke hedhur dritë mbi mënyrën se si, sipas tij, u realizua kapja e presidentit Nicolás Maduro. I ftuar në emisionin “Oponencë”, Goxhaj theksoi se çelësi i operacionit lidhet drejtpërdrejt me strukturat e sigurisë së brendshme të Venezuelës.
Sipas Goxhajt, Venezuela ka dy shërbime sekrete, një civil dhe një ushtarak sekret, të dyja nën varësinë e zv/presidentit. “Nëse blen këto dy struktura, pjesa tjetër është teatër,” u shpreh ai, duke lënë të kuptohet se operacioni u bë i mundur përmes bashkëpunimit të elementëve të brendshëm dhe jo vetëm nga forca të jashtme.
Ai foli edhe për rolin e Kubës në sigurinë e Maduros, duke përmendur deklaratën e qeverisë kubane, sipas së cilës 32 kubanezë që ruanin presidentin venezuelian u vranë gjatë ngjarjeve. Goxhaj theksoi se, sipas kubanezëve, këta persona nuk u vranë nga amerikanët, por nga vetë venezuelasit.
Eksperti i sigurisë e përshkroi skenarin si një veprim të koordinuar nga brenda. “Ata që u paguan hoqën barrierën dhe më pas morën këtë ‘pakon’ dhe i thanë: hajdeni merreni,” tha Goxhaj, duke e cilësuar këtë si momentin vendimtar të operacionit.
Sipas tij, nga pikëpamja ushtarake, operacioni ishte i përsosur. “Kjo është detyra: të penetrosh në zemër të armikut dhe të gjesh çdo mënyrë për të arritur qëllimin,” u shpreh ai.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






