

Edhe në vendin tonë vitet e fundit kanë nisur të aplikohen ulje sezonale në produktet e veshjeve duke nxitur shumë njerëz të përfitojnë prej tyre.
Megjithatë, shumë herë janë raportuar spekulime, me çmime që ndryshe shfaqen në vitrina dhe ndryshe në kasë, duke mbifaturuar klientët. Për më tepër janë evidentuar plot raste edhe kur çmimi i ulur, përqindja e zbritjes nuk i referohet çmimit të fundit, por shpesh, me çmime të ndryshuara posaçërisht për uljet.
Kjo dukuri nuk është shqiptare, pasi është hasur dhe në fqinjët tanë, Greqi. Për këtë, autoritetet atje kanë shpallur rregulla të forta dhe gjoba dërrmuese që nisin nga 20 mijë euro deri në 4 për qind të xhiros vjetore.
Më poshtë noa.al ju sjell jo vetëm të dhëna si po funksionon skema e uljeve në Greqi, por edhe të dhëna utilitare që u vijnë në ndihmë shumë shqiptarëve nga Shqipëria dhe Kosova e Maqedonia që shkojnë shpesh për shoping në Greqi, si dhe emigrantëve tanë atje:
Kur nisin uljet dimërore dhe sa do të zgjasin – Të dielat që do të jenë të hapura dyqanet
Periudha e uljeve dimërore nis të hënën, më 12 janar, dhe do të zgjasë deri të premten, më 27 shkurt.
Tregtarët presin rritje të lëvizjes së blerjeve, ndërsa konsumatorët shpresojnë në ulje të ndjeshme çmimesh për veshje, këpucë dhe produkte të tjera.
Uljet dimërore 2026
Pjesëmarrja e dyqaneve në uljet dimërore nuk është e detyrueshme. Megjithatë, bizneset që zgjedhin të aplikojnë ulje duhet të respektojnë rregulla të rrepta ligjore, me qëllim garantimin e transparencës për konsumatorët.
Gjatë kësaj periudhe, dyqanet do të kenë mundësi të jenë të hapura dy të diela, më 18 dhe 25 janar. Orari i rekomanduar i punës për këto ditë është nga ora 11:00 deri në 18:00.
Çfarë duhet të kenë parasysh konsumatorët gjatë uljeve
Shoqata e Konsumatorëve në Greqi rikujton disa rregulla të rëndësishme për blerje të sigurta dhe të drejta:
Çdo produkt me ulje duhet të shënojë qartë çmimin e vjetër dhe çmimin e ri, si dhe njësinë e matjes.
Në çdo njoftim uljeje, tregtari duhet të tregojë çmimin më të ulët të 30 ditëve të fundit para uljes.
Nëse produkti ka qenë në treg më pak se 30 ditë, merret si referencë çmimi më i ulët i 10 ditëve të fundit.
Në rast uljesh të njëpasnjëshme, çmim referencë konsiderohet çmimi fillestar para uljes së parë.
Lejohet shënimi i përqindjes së uljes, vetëm nëse ajo është e saktë dhe e qartë.
Nëse mbi 60% e produkteve janë në ulje, përqindja duhet të shfaqet në vitrinë.
Në rast përqindjesh të ndryshme sipas kategorive, duhet të tregohet diapazoni (p.sh. “nga …% deri në …%”).
Dyqanet STOCK ose OUTLET duhet të shfaqin çmimin e vjetër të fshirë dhe çmimin e ri të ulur qartë.
Gjatë periudhave të uljeve, këto dyqane duhet të tregojnë të gjitha çmimet e mëparshme të fshira, ndërsa çmimi final të jetë i theksuar.
Gjoba të rënda për ulje mashtruese
Në rastet e uljeve të rreme ose mashtruese – qoftë për përqindjen, çmimet apo sasinë e produkteve – parashikohen gjobë të rënda.
Gjoba mund të arrijë deri në 2% të xhiros vjetore të tregtarit dhe jo më pak se 20.000 euro.
Në rast përsëritjeje të shkeljes brenda 5 viteve, gjoba mund të shkojë deri në 4% të xhiros vjetore. /noa.al
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






