

Korçë–Elbasan — 7 janar 2026
Qarkullimi i mjeteve në aksin rrugor Qafë Plloçë–Qukës është mbyllur përkohësisht për shkak të rënies së dherave dhe inerteve në disa segmente të rrugës, duke krijuar rrezik për sigurinë e drejtuesve të mjeteve.
Vendimi është marrë si masë parandaluese, pas një aksidenti të regjistruar paraditen e sotme në këtë segment, si dhe për të mundësuar ndërhyrjen e menjëhershme për pastrimin e rrugës. Mbyllja e qarkullimit synon shmangien e ngjarjeve të tjera dhe garantimin e sigurisë rrugore.
Policia Rrugore e Korçës dhe Elbasanit ndodhet në terren dhe po orienton mjetet drejt rrugës së vjetër, duke vendosur patrulla në hyrje të Qafë Plloçës dhe në hyrje të Qukësit, me qëllim ndalimin e hyrjes së automjeteve në aksin e ri.
Autoritetet bëjnë me dije se aksi do të qëndrojë i mbyllur deri në përfundimin e plotë të pastrimit nga firma kontraktore dhe deri në momentin kur të vlerësohet se nuk ekziston më rrezik për qarkullimin e mjeteve.
Drejtuesit e automjeteve këshillohen të ndjekin udhëzimet e Policisë Rrugore dhe të përdorin itinerarët alternativë deri në njoftimin e radhës.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






