Transmetuar më 07-01-2026, 19:18

Shkrimtarja Lea Ypi ka njoftuar mes notash zhgënjimi largimin e saj nga Shqipëria.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Lea Ypi është shprehur se do të mbajë me vete çdo takim të këtyre ditëve, fjalët nxitëse, vërejtjet, komentet e kritikat e të rinjve.

Ypi shtoi gjithashtu se ka përshtypjen se bota sot i ngjan labirintit të minotaurit, ku sipas saj, gjithkush kërkon shpëtim nga përbindëshat e dukshëm e të padukshëm.

Postimi i Lea Ypit:

Mirupafshim Shqipëri.

Llaçin e shpifjeve dhe pluhurin e konspiracioneve biografike, ideologjike, gjeopolitike, sociale, materiale e sa e sa të tjera më kanë dëgjuar veshët e parë sytë për veten këto ditë, ti kam lënë në derë. Në fund të fundit hiçi dixhital e mediatik mbi diçka duhet ngritur që atij grushti logosh ku tek asgjëja çlirohet vetmia, trishtimi, mllefi, dështimi, varfëria e mendimit, shfrytëzimi, paburrëria, ti mbushet mendja se mbase diçka është.

Por emocionet e takimeve të këtyre ditëve me qindra njerëz të vërtetë, lexues të gjithfarë brezave, bindjesh politike, përvojash historike, me aq shumë pyetje, vërejtje, komente, kritika, fjalë nxitëse, të rinj e të reja me guxim për tu parë në sy e për tu përballur pa u fshehur në lloj-lloj pseudonimesh e maska karnavalesh, shkëmbimet tona rreth fateve të botës e të këtij katundit tonë, skutave të historisë, dritës që hedh arti në kërkim të së vërtetës – të gjitha këto i mbaj me vete.

Kam përshtypjen se bota sot i ngjan labirintit të minotaurit ku gjithkush kërkon shpëtim nga përbindëshat e dukshëm e të padukshëm. Ndoshta secili nga ne e mban në dorë një pjesë nga filli i Ariadnes, mjafton që duart të bashkohen dhe njerëzit të rigjejnë kuptimin e të qenit njeri.

Faleminderit të gjithë atyre që në këtë skutën shqiptare të labirintit shtrënguan dorën time.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit