

TIRANË – 7 Janar 2026 Reshjet e dendura të shiut kanë shkaktuar përmbytje të konsiderueshme në disa zona të vendit, duke prekur veçanërisht qarqet e Durrësit dhe Lezhës, ku janë raportuar rrugë të bllokuara, banesa të përmbytura dhe dëme të shumta në infrastrukturë.
Në Tiranë, situata paraqitet shqetësuese përgjatë lumit Lana, i cili është fryrë ndjeshëm dhe ndodhet në prag të daljes nga shtrati. Zona më problematike raportohet pranë pallatit me shigjeta, ku niveli i ujit ka arritur kuota alarmante.
Ndërkohë, situatë e rënduar paraqitet edhe në Novoselë, ku niveli i lumit Vjosë ka arritur në 8 metra. Sipas specialistëve, mbi kuotën 8.5 metra, lumi nis përmbytjen e zonave përreth, duke shtuar ankthin dhe frikën tek banorët.
Autoritetet bëjnë me dije se gjendja mbetet kritike, pasi prurjet nga Përmeti dhe Memaliaj vijojnë të jenë të larta. Përkeqësimi i situatës është ndikuar edhe nga era bregdetare, e cila ka penguar derdhjen normale të lumit në det, duke rënduar më tej situatën hidrike.
Banorët e zonave të prekura shprehen të indinjuar, duke theksuar se kjo situatë përsëritet prej vitesh dhe, sipas tyre, mungojnë masat konkrete për parandalimin dhe menaxhimin e përmbytjeve.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






