Transmetuar më 07-01-2026, 16:06

DURRËS – 7 Janar 2026 Reshjet intensive të shiut dhe moti i keq kanë shkaktuar përmbytje të konsiderueshme në qytetin e Durrësit dhe zonat përreth, duke sjellë dëme të shumta në banesa, biznese dhe toka bujqësore.

Sipas të dhënave zyrtare, janë evidentuar 953 banesa me prani uji brenda ambienteve dhe në oborre. Banesat e prekura ndodhen kryesisht në zonën e ish-Kënetës, Zonën e Plazhit, njësitë administrative Manëz, Rrashbull, si dhe në lagjen 14, Shkozet.

Si masë sigurie, 160 persona janë evakuuar dhe janë strehuar përkohësisht në dy shtëpi pushimi. Ndërkohë, 15 grupe pune janë angazhuar në terren për evidentimin e dëmeve dhe menaxhimin e situatës emergjente.

Po ashtu, 337 biznese raportohet se kanë prani uji, ndërsa përmbytjet kanë prekur edhe tokat bujqësore në njësitë administrative Katundi i Ri, Sukth dhe Manëz, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme.

Autoritetet bëjnë me dije se situata është rënduar jo vetëm nga reshjet e dendura, por edhe nga mosfunksionimi i rrjeteve kulluese, përfshirë tubacionet e kanalizimeve dhe kanalet e ujërave të bardha. Grupet e emergjencave civile vijojnë punën në terren për normalizimin e situatës dhe minimizimin e pasojave.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit