

Tiranë – Vijon operacioni policor “Stolen Line”, sekvestrohet një tjetër automjet luksoz i vjedhur jashtë vendit
Vijon operacioni policor i koduar “Stolen Line”, i zhvilluar nga Policia e Shtetit kundër trafikimit në Shqipëri të automjeteve luksoze të vjedhura jashtë vendit. Me rastin e fundit, numri i automjeteve të sekuestruara që nga nisja e operacionit ka shkuar në 5.
Gjatë veprimeve hetimore, shërbimet e Policisë kanë sekuestruar një automjet tip “BMW M-8”, me vlerë rreth 140 mijë euro, i cili nga verifikimet ka rezultuar i vjedhur në Gjermani.
Automjeti që shihni u ndalua në zonën e Vorës, ku po drejtohej nga blerësi i tij. Në lidhje me këtë rast, është proceduar penalisht shtetasi E. D., 39 vjeç, banues në Shqipëri, i cili dyshohet se ka blerë automjetin e trafikuar dhe po e drejtonte atë në momentin e ndalimit.
Po ashtu, Policia ka identifikuar dhe shpallur në kërkim shtetasin F. H., 42 vjeç, shtetas kosovar, i cili dyshohet se ka trafikuar automjetin në Shqipëri me qëllim shitjen e tij.
Policia vijon punën për kapjen e 42-vjeçarit, si dhe për dokumentimin e plotë të aktivitetit kriminal në kuadër të këtij operacioni.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Trafikimi i mjeteve motorike”. /noa.al
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






