Transmetuar më 07-01-2026, 13:27

Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë ka shpallur fajtor Isuf Hasën për vrasjen e fqinjit të tij, 81-vjeçarit Xhemal Meta, duke e dënuar me 25 vite burg. Vendimi parashikon që dënimi të vuhet në një institucion të sigurisë së lartë dhe të llogaritet nga data e ndalimit të tij, më 15 janar 2025.

Ngjarja e rëndë ndodhi më 13 janar 2025 në fshatin Qafë-Mollë të Tiranës. Viktima u gjet i pajetë në oborrin e banesës nga një fqinj tjetër, ndërsa ekspertiza mjeko-ligjore konstatoi plagë të rënda në kokë të shkaktuara nga goditje me mjet të fortë, të cilat rezultuan fatale.

Gjatë hetimeve dhe procesit gjyqësor, Isuf Hasa pranoi autorësinë e krimit. Sipas prokurorisë, motivi kryesor i vrasjes ishte grabitja e parave të viktimës, të cilat autori synonte t’i përdorte për shlyerjen e një mikrokredie. Për këtë arsye, akuza fillestare e “vrasjes me dashje” u rikualifikua në “vjedhje me pasojë vdekjen”, vepër për të cilën gjykata e shpalli fajtor.

Nga aktet hetimore rezultoi se ditën e ngjarjes, Hasa ishte ndalur në banesën e fqinjit për të pirë kafe. Pas rreth 15 minutash qëndrimi, në momentin që po dilnin nga shtëpia, ai e ka goditur 81-vjeçarin me çekiç në kokë, duke e rrëzuar në tokë. Pasi është siguruar se viktima nuk lëvizte më, ka marrë portofolin e tij dhe është larguar nga zona. Armën e krimit e ka marrë me vete dhe e ka fshehur pranë banesës së një prej vajzave të tij, ku më pas u gjet dhe u sekuestrua nga policia.

Në dëshmitë e dhëna gjatë hetimit, Hasa ka deklaruar se kishte konflikte të mëparshme me viktimën, duke pretenduar se ai e kishte fyer dhe provokuar në mënyrë të përsëritur, përfshirë komente ndaj bashkëshortes së tij. Megjithatë, gjykata vlerësoi se këto pretendime nuk përbëjnë rrethana lehtësuese dhe se veprimet e autorit tregojnë qartë një qëllim përfitimi material.

Trupi gjykues, duke analizuar provat, rrëfimin e të pandehurit dhe pasojat e rënda të krimit, vendosi dënimin me 25 vite burg, duke e cilësuar çështjen si një nga rastet më të rënda të dhunës kriminale të ndodhura në zonë gjatë vitit të fundit.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit