

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar lidhur me situatën e krijuar nga përmbytjet në disa zona të vendit, duke kërkuar shpalljen urgjente të gjendjes së fatkeqësisë natyrore. Sipas tij, dëmet e shkaktuara janë të mëdha dhe prekin mijëra familje, biznese dhe aktivitete ekonomike nga Durrësi deri në Shkodër.
Berisha theksoi se vetëm në qarkun e Durrësit numërohen rreth 4 mijë banesa, biznese dhe objekte të tjera të dëmtuara nga përmbytjet, ndërsa situata problematike shtrihet edhe në qarqe të tjera të vendit. Ai vlerësoi se pasojat janë të rënda dhe në shumë raste të parikuperueshme për familjet e prekura.
Sipas kreut të opozitës, qeveria po tregohet indiferente ndaj situatës dhe nuk po merr masa konkrete për përballimin e emergjencës. Ai akuzoi kryeministrin Edi Rama për mungesë reagimi dhe për mosshpalljen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore, duke argumentuar se një vendim i tillë do ta detyronte qeverinë të përballonte ligjërisht dëmet e shkaktuara.
Berisha e cilësoi qëndrimin e qeverisë si cinik dhe të papërgjegjshëm, duke shtuar se qytetarët në disa zona janë përballur me përmbytje të përsëritura brenda një periudhe të shkurtër kohore. Ai u shpreh se tallja dhe mungesa e ndjeshmërisë ndaj kësaj situate rëndon më tej mbi qytetarët që po përballen me pasoja serioze sociale dhe ekonomike.
Në përfundim, opozita kërkon ndërhyrje të menjëhershme institucionale dhe masa konkrete për ndihmën e familjeve të prekura, si dhe një përgjigje të strukturuar shtetërore për përballimin e situatës së krijuar nga moti i keq.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






