

TIRANË – Kryeministri Edi Rama ka reaguar për situatën e përmbytjeve që ka përfshirë vendin gjatë ditëve të fundit, duke e krahasuar Shqipërinë me vendet e tjera të rajonit, të cilat po përballen po ashtu me reshje të dendura.
Në një postim në rrjetet sociale, Rama ironizoi opozitën shqiptare, të cilën e akuzoi se çdo problematikë të shkaktuar nga moti e faturon vetëm qeverisë. “Nuk e kuptoj pse nuk po më fajësojnë akoma mua, qeverinë dhe bashkinë e Durrësit, për reshjet mbytëse të këtyre ditëve në Itali, Greqi, Mal të Zi, Kroaci e me radhë… Çudi e madhe opozitat andej, po të paktën të fajësonin qeveritë e tyre, po hiç, asnjë llaf”, shkruan Rama.
Komentet e kryeministrit vijnë ndërsa reshjet e dendura kanë shkaktuar përmbytje në zona të ndryshme të vendit: lumi Vjosa ka dalë nga shtrati, aksin Gjirokastër-Kakavijë është i bllokuar, 26 familje janë evakuuar në Durrës dhe Kurbin, ndërsa 3,010 hektarë tokë bujqësore në Lezhë ndodhen nën ujë. Autoritetet e emergjencës po vijojnë monitorimin dhe ndërhyrjet për të menaxhuar situatën.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






