Transmetuar më 07-01-2026, 09:51

Prishtinë- Reshjet e dendura të ditëve të fundit kanë shkaktuar përmbytje në disa qytete të Kosovës, duke dëmtuar prona, infrastrukturë dhe duke shkaktuar evakuime të banorëve. Si pasojë, rifillimi i mësimit pas pushimit dimëror është shtyrë për të hënën, më 12 janar, njoftoi Ministrja në detyrë e Arsimit, Arbërie Nagavci.

Komunat më të prekura janë Fushë-Kosova, Malisheva, Rahoveci, Klina, Mitrovica, Vushtrria, Skënderaji dhe Gjakova. Agjencia për Menaxhimin e Emergjencave konfirmon se situata është “e menaxhueshme”, me evakuime të lokalizuara; në Gjakovë u ndihmuan mbi 20 familje.

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës raportoi se lumenjtë dhe përrenjtë, përfshirë Ibri, Sitnicën, Lepencin dhe Moravën e Binçës, kanë pësuar ngritje të nivelit të ujit. Në disa zona, uji ka depërtuar edhe në infrastrukturën elektrike, duke shkaktuar ndërprerje të furnizimit me energji elektrike, por KEDS njoftoi rikthimin e saj pas krijimit të kushteve të sigurta.

Po ashtu, furnizimi me ujë është ndërprerë përkohësisht në disa rajone, për shkak të turbullimit të kanaleve të ujit, ndërsa qytetarët janë udhëzuar të shmangin përdorimin e ujit të pambrojtur dhe ushqimin që ka pasur kontakt me ujin e reshjeve.

Autoritetet komunale, bashkë me Forcën e Sigurisë së Kosovës, po vijojnë monitorimin e situatës dhe ndërhyrjen në zonat e përmbytura, ndërsa qytetarët janë këshilluar të shmangin lëvizjet e panevojshme. Presidentja Vjosa Osmani bëri thirrje për vigjilencë dhe respektim të udhëzimeve, duke falënderuar institucionet për reagimin ndaj emergjencës.

Situata ka shkaktuar gjithashtu dëme në rrugë dhe rrëshqitje të dheut, ndërsa vlerësohet se nxjerrjet e paligjshme të zhavorrit nga shtretërit e lumenjve kontribuojnë në intensifikimin e përmbytjeve.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit