Transmetuar më 07-01-2026, 09:44

Reshjet e shiut gjatë natës kanë sjellë problematika të izoluara në qarkun e Korçës, ndërsa situata në tërësi paraqitet e qetë dhe nën monitorim nga strukturat përgjegjëse.

Në qytetin e Korçës raportohet prezencë uji në afërsi të banesave në fshatrat Çiflig dhe Shamoll. Si pasojë e prurjeve të shumta të përroit, rruga që lidh fshatin Denas është bërë e pakalueshme, ndërsa autoritetet kanë marrë masa për ndërhyrje dhe pastrimin e saj.

Në bashkitë Kolonjë, Maliq, Devoll dhe Pustec nuk raportohen situata emergjente apo dëme të shkaktuara nga moti i keq.

Në Pogradec është evidentuar një rrëshqitje dheu në fshatin Dardhas, ku ekipet përkatëse po punojnë për rikthimin e qarkullimit normal në këtë aks rrugor.

Në rajonin Qendër–Lindje, në aksin Lozhan–Moglicë janë regjistruar rënie gurësh dhe rrëshqitje dherash. Ndërhyrjet për pastrimin e rrugës janë në proces, ndërsa qarkullimi vijon normalisht me kufizime të përkohshme në zonat ku po kryhen punimet.

Gjithashtu, raportohet një çarje në argjinaturën e përroit të Oshticës, në zonën e Bilishtit. Ndërhyrja do të realizohet sapo të ulen prurjet e ujit. Lumi Dunavec ka prurje të konsiderueshme, por sipas autoriteteve po monitorohet vazhdimisht dhe aktualisht nuk paraqet rrezik.

Si pasojë e motit të keq, dy zona kanë mbetur pa energji elektrike. Pa energji janë 502 abonentë të fiderit 9, në nënstacionin Lozhan, si dhe një abonent në fiderin J07 të nënstacionit Leskovik. Po punohet për rikthimin sa më të shpejtë të furnizimit me energji.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit