Transmetuar më 07-01-2026, 08:25

Moti i keq që ka përfshirë vendin që prej ditës së martë ka shkaktuar probleme serioze në qarkullimin rrugor në jug të vendit. Aksi nacional Gjirokastër–Kakavijë është bllokuar në zonën e Kordhocës, përballë fshatit Lazarat, si pasojë e prurjeve të inerteve në rrugë.

Në vendngjarje ndodhen punonjësit e firmës mirëmbajtëse, të cilët po punojnë për pastrimin e aksit dhe rikthimin e qarkullimit normal. Megjithatë, për momentin rruga mbetet e pakalueshme për mjetet.

Bllokim është shënuar edhe në aksin Gjirokastër–Valare, në vendin e quajtur Ura e Aznakut, ku prania e inerteve ka pamundësuar lëvizjen e automjeteve.

Në pjesën më të madhe të qytetit të Gjirokastrës raportohet prezencë e konsiderueshme e inerteve, të cilat kërkojnë ndërhyrjen e mjeteve të rënda për t’u larguar. Autoritetet lokale po monitorojnë situatën dhe janë në gatishmëri për përballimin e pasojave të motit të keq.

Ndërkohë, reshjet e shiut kanë ulur intensitetin gjatë orëve të fundit. Niveli i lumit Vjosa në Memaliaj ka arritur në 6.5 metra, ndërsa nga bashkitë e tjera të qarkut Gjirokastër, deri më tani, nuk raportohen situata emergjente.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit