

Policia e Fierit ka finalizuar mbrëmjen e kaluar një operacion të gjerë policor, i cili ka çuar në arrestimin e dy personave, babë e bir, si dhe në zbulimin e një arsenali armësh dhe një sasie të konsiderueshme lënde narkotike.
Operacioni i koduar “New Start 2” u zhvillua pas një muaji hetimesh intensive me metoda proaktive nga Sektori për Hetimin e Narkotikëve i DVP Fier, në bashkëpunim me Prokurorinë e Fierit, Forcat Operacionale dhe njësitë “Shqiponjat”.
Si rezultat i operacionit, u arrestua shtetasi Adiol Hada, 34 vjeç, banues në fshatin Suk, Roskovec, i dyshuar për ushtrimin e veprimtarisë kriminale të shitjes së lëndëve narkotike dhe posedimit të armëve të zjarrit.
Gjatë ndërhyrjes, shërbimet e Policisë e kapën 34-vjeçarin në dalje të fshatit Suk, ku në automjetin e tij u gjetën rreth 1 kilogram lëndë narkotike e dyshuar kanabis sativa, e ndarë në doza gati për shitje.

Në vijim të operacionit, nga kontrolli i banesës dhe i lokalit në pronësi të tij dhe babait të tij, u sekuestruan:
17.6 kilogramë kanabis sativa, i përpunuar dhe i ndarë në doza
2 pistoleta
2 armë automatike kallashnikov
2 granata luftarake
1110 fishekë luftarakë të kalibrave të ndryshëm
2 aparate celularë
1 motomjet
Në pranga u vu gjithashtu edhe babai i tij, Asqeri Hada, 61 vjeç, pasi në ambientet e kontrolluara u gjet arsenali i armëve dhe një pjesë e lëndës narkotike.
Policia dhe Prokuroria po vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë ligjor të çështjes, për të verifikuar përfshirjen e të arrestuarve në veprimtari të tjera kriminale dhe për të zbardhur origjinën e armëve dhe drogës.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Fierit për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve shpërthyese dhe municionit”. /noa.al
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






