Transmetuar më 07-01-2026, 07:55

Punësimi i përkohshëm dhe sezonal i shqiptarëve jashtë vendit vijon të mbetet një burim i rëndësishëm të ardhurash për ekonominë shqiptare. Sipas të dhënave të publikuara nga Eurostat, gjatë vitit 2024, shqiptarët që punuan jashtë shtetit transferuan zyrtarisht në Shqipëri 663 milionë euro nga kompensimi i punonjësve, ose 31.6% e totalit prej rreth 2.1 miliardë eurosh të dërguara nga jashtë.

Këto të ardhura përfshijnë paga dhe fitime të realizuara nga rezidentë shqiptarë që punojnë përkohësisht jashtë vendit, kryesisht në formë punësimi sezonal, përpara zbritjes së taksave dhe kontributeve.

Transfertat nga puna jashtë vendit kanë shënuar rritje të vazhdueshme vitet e fundit. Në vitin 2022 ato ishin 455 milionë euro, u rritën në 629 milionë euro në 2023 (+38%) dhe arritën në 663 milionë euro në 2024, me një rritje vjetore prej 5.1%, duke sinjalizuar një ngadalësim të ritmit të zgjerimit.

Greqia kryeson si vendi nga ku vijnë më shumë të ardhura nga puna sezonale, me 156 milionë euro në 2024, kryesisht nga punësimi në bujqësi. Pas saj renditet Italia me 126 milionë euro, ndërsa Gjermania zë vendin e tretë me 69 milionë euro, duke reflektuar rritjen e emigrimit të profesionistëve.

Mbretëria e Bashkuar kontribuoi me rreth 65 milionë euro, e ndjekur nga Zvicra (27 mln euro), Turqia (20 mln euro) dhe Irlanda (19.7 mln euro). Transferta më të ulëta, por në rritje, u regjistruan edhe nga Franca, Austria, SHBA, Polonia, Holanda, si dhe nga vendet arabe të Gjirit Persik, ku të ardhurat arritën në 2.3 milionë euro.

Shqiptarët e punësuar përkohësisht jashtë angazhohen kryesisht në sektorë me kërkesë të lartë për fuqi punëtore, si bujqësia, turizmi, shërbimet dhe ndërtimi. Paralelisht, po vërehet një zgjerim gradual i punësimit në sektorin e teknologjisë së informacionit, kryesisht përmes kontratave afatshkurtra dhe punës në distancë, megjithëse ky segment mbetet ende më i vogël krahasuar me punët tradicionale sezonale.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit