Transmetuar më 06-01-2026, 22:53

Conegliano, Itali – 6 janar 2026 – Një ushtar amerikan i stacionuar në bazën ajrore Aviano Air Base është plagosur me thikë gjatë një incidenti të dhunshëm të ndodhur në orët e para të mëngjesit të 28 dhjetorit, në qytetin Conegliano, në veri të Italisë. Ngjarja ka ndodhur jashtë një klubi privat, ndërsa ushtari ndodhej jashtë shërbimit.

Sipas mediave amerikane, bëhet fjalë për një ushtar 28-vjeçar, me inicialet T.K., i cili u transportua me urgjencë në spital pas sulmit. Fillimisht gjendja e tij u raportua si kritike, por falë ndërhyrjes së shpejtë mjekësore, ai ka kaluar rrezikun për jetën dhe aktualisht po rikuperohet në banesën e tij.

Në momentin e incidentit, ushtari amerikan ishte i shoqëruar nga një grua shqiptare 37-vjeçare. Burime pranë hetimit bëjnë me dije se konflikti ka nisur si një përplasje verbale me disa persona të njohur për të, por situata është përshkallëzuar shpejt në dhunë fizike. Si pasojë e përleshjes, janë plagosur si ushtari amerikan ashtu edhe gruaja që e shoqëronte, ndërsa ai është goditur me armë të ftohtë.

Autoritetet italiane kanë nisur menjëherë hetimet dhe, përmes pamjeve të kamerave të sigurisë dhe videove të xhiruara nga banorët pranë restorantit “Biscione”, karabinierët e Coneglianos kanë identifikuar një person të dyshuar. Sipas policisë, gjurmimi i targës së një SUV-je ka çuar në identifikimin e një 41-vjeçari nga Codognè, shtetas shqiptar, i cili aktualisht ndodhet nën hetim, por ende në arrati.

Nga të dhënat paraprake rezulton se i dyshuari nuk ka precedentë penalë dhe se ka vepruar së bashku me disa miq shqiptarë jashtë klubit privat. Sipas hetuesve, ai nuk ka pasur lidhje sentimentale me gruan 37-vjeçare, por bashkë me bashkëkombasit e tij ka kundërshtuar marrëdhënien e saj me ushtarin amerikan, gjë që dyshohet se ka çuar në konfliktin e dhunshëm.

Policia italiane po vijon kërkimet për kapjen e autorit dhe për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes. Rasti ka tërhequr gjithashtu vëmendjen e autoriteteve amerikane, për shkak të statusit të viktimës si personel ushtarak i Shteteve të Bashkuara.

Si u zbulua autori i dyshuar

Në sajë të pamjeve të kamerave të videosurvejimit dhe videove të xhiruara nga banorët në afërsi të lokalit “Biscione”, karabinierët e Coneglianos kanë arritur të identifikojnë autorin e plagosjes së ushtarit amerikan 28-vjeçar, të stacionuar në bazën ajrore të Avianos.

Është proceduar penalisht një 41-vjeçar shqiptar, banues në Codognè, i cili u identifikua përmes pamjeve që tregonin targën e automjetit tip SUV, me të cilin ai u largua nga vendngjarja së bashku me bashkëkombësit e tij.

I dyshuari nuk ka precedentë penalë, ka vepruar së bashku me disa miq shqiptarë jashtë klubit privat, nuk ka pasur një lidhje sentimentale me të fejuarën 37-vjeçare të ushtarit, por bashkë me bashkëkombasit e tij nuk e kanë parë me sy të mirë marrëdhënien mes 37-vjeçares, gjithashtu me origjinë shqiptare, dhe ushtarit amerikan.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit