Transmetuar më 06-01-2026, 22:33

Prishtinë, 6 janar 2026

Kosova ka pranuar një dërgesë të re me sisteme raketore kundërtanke OMTAS nga Turqia, duke shënuar një tjetër hap në forcimin e kapaciteteve ushtarake të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Lajmi u konfirmua nga ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, i cili bëri të ditur se pajisjet janë siguruar përmes një kontrate të lidhur në dhjetor të vitit 2023 me kompaninë shtetërore turke të industrisë së mbrojtjes, Roketsan.

Sipas Maqedoncit, sistemi OMTAS përfaqëson një teknologji bashkëkohore raketore me rreze të mesme veprimi, e projektuar për neutralizimin e mjeteve të blinduara moderne, përfshirë tanke të pajisura me mbrojtje reaktive, si dhe objektiva të fortifikuara ushtarake.

Ai theksoi se zgjerimi i arsenalit kundërtank synon rritjen e fleksibilitetit operacional të FSK-së, duke mbuluar distanca të ndryshme veprimi, terrene të ndryshme dhe skenarë të ndryshëm kërcënimi.

Autoritetet nuk kanë bërë publike detaje mbi numrin e sistemeve të pranuara apo koston financiare të kësaj dërgese. Sipas të dhënave zyrtare të Roketsanit, sistemi OMTAS mund të operojë si ditën ashtu edhe natën dhe është funksional në kushte të ndryshme atmosferike. Ai mund të lëshohet si nga automjete ushtarake, ashtu edhe nga platforma statike me trekëmbësh.

Rrezja e veprimit të sistemit shtrihet nga 200 metra deri në 4 kilometra, ndërsa pesha e raketës së bashku me tubin lëshues është rreth 35 kilogramë.

Vitet e fundit, Kosova ka intensifikuar procesin e modernizimit të forcave të saj të sigurisë, duke blerë pajisje ushtarake kryesisht nga Shtetet e Bashkuara dhe Turqia, përfshirë dronë dhe sisteme raketore. Paralelisht, vendi ndodhet në procesin afatgjatë të transformimit të FSK-së në ushtri të rregullt, një proces i nisur në vitin 2018 dhe që pritet të përfundojë brenda dhjetëvjeçarit.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit