

Gjatë 25 viteve të fundit, teknologjia ka ndryshuar botën me një shpejtësi që dikur i përkiste vetëm fantashkencës. Sot, pyetja e madhe është: çfarë na pret në 25 vitet e ardhshme?
Në fillim të viteve 2000, shumica e kompjuterëve lidhnin internetin përmes lidhjeve të ngadalta dial-up, Netflix ishte thjesht një shërbim online për marrjen me qira të DVD-ve dhe telefonat inteligjentë ishin pothuajse të panjohur. Dy dekada e gjysmë më vonë, Inteligjenca Artificiale, robotika dhe teknologjitë e avancuara po zhvillohen me ritme marramendëse.
Për të kuptuar më mirë se si mund të duket jeta në vitin 2050, ekspertë të fushave të ndryshme kanë bërë parashikime për mënyrën se si teknologjia do të transformojë shëndetin, arsimin, transportin dhe vetë konceptin e të qenit njeri.
Bashkimi i njeriut me makinat
Fantashkenca që imagjinon vitet 2050 shpesh përshkruan njerëz të përmirësuar teknologjikisht, më të shëndetshëm, më të fortë dhe më produktivë. Një shembull i tillë është loja e njohur Deus Ex (2000), e vendosur në vitin 2052, ku personazhet përdorin nanorobotë të quajtur “nanite”, të aftë të manipulojnë materien në nivel atomik dhe të japin aftësi mbinjerëzore.
Edhe pse duket si skenar i largët, nanoteknologjia – inxhinieria në shkallë jashtëzakonisht të vogël – përdoret tashmë në jetën e përditshme. Çdo smartphone apo kompjuter përmban çipa të ndërtuar me miliarda komponentë në shkallë nano, për të përshpejtuar përpunimin e të dhënave.
Profesori Steven Bramwell nga London Centre for Nanotechnology që citon noa.al shprehet se deri në vitin 2050 kufijtë mes elektronikës, makinerive dhe biologjisë do të jenë shumë më të paqartë. Sipas tij, implantet nanoteknologjike mund të monitorojnë shëndetin, të ndihmojnë komunikimin apo të shpërndajnë ilaçe drejtpërdrejt aty ku duhen.
Revolucioni i shëndetit
Profesori Kevin Warwick, i njohur si “Captain Cyborg”, i cili implantoi mikroçipe në sistemin nervor që në vitin 1998, beson se teknologjia e së ardhmes do të sjellë trajtime revolucionare për sëmundje të rënda.
Ai parashikon përdorimin e stimulimit të thellë elektronik të trurit për trajtimin e disa patologjive, si dhe lidhje direkte mes trurit dhe makinerive. Në të ardhmen, trupi dhe mendja e njeriut mund të veprojnë edhe nga vende të ndryshme njëkohësisht.
Ndërkohë, profesori Roger Highfield nga Muzeu i Shkencës parashikon përhapjen e ashtuquajturave “binjakë digjitalë”: versione virtuale të trupit të njeriut, të përditësuara në kohë reale me të dhëna biologjike. Këta binjakë do të përdoren për të testuar ilaçe, dieta apo mënyra jetese, duke “parë të ardhmen përpara se ta jetojmë”.
Inteligjenca Artificiale dhe arsimi i së ardhmes
AI do të ketë rol qendror në shoqëri. Kompani si Google dhe IBM po investojnë miliarda në zhvillimin e kompjuterëve kuantikë, të aftë për llogaritje jashtëzakonisht komplekse me shpejtësi të paimagjinueshme sot.
Sipas drejtorit të Nvidia, Jensen Huang, kompjuterët kuantikë funksionalë në shkallë të gjerë mund të jenë realitet brenda 20 viteve, duke revolucionarizuar mjekësinë dhe kërkimin shkencor.
Në arsim, shkrimtarja futuriste Tracey Follows parashikon se mësimi do të zhvillohet në realitete virtuale dhe fizike të ndërthurura, me mësues AI që përshtaten në kohë reale sipas nevojave të çdo nxënësi. Librat do të zëvendësohen nga simulime interaktive, ndërsa mënyra e të mësuarit do të personalizohet mbi bazën e ADN-së dhe të dhënave biometrike.
Transport pa trafik dhe jetë në Hënë
Sipas ekspertëve, automjetet autonome do ta bëjnë trafikun pothuajse të panevojshëm. Makina që komunikojnë mes tyre do të lëvizin shumë afër njëra-tjetrës dhe do të frenojnë njëkohësisht, duke ulur ndjeshëm aksidentet.
Në rrugë private për automjete autonome, shpejtësia mund të arrijë nivele shumë më të larta se sot, ndërsa vdekjet nga aksidentet pritet të bien ndjeshëm.
Në hapësirë, parashikohet ndërtimi i një baze të qëndrueshme në Hënë brenda 25 viteve. Industria farmaceutike mund të zhvendosë pjesë të prodhimit në hapësirë, ku kushtet e mikrogravitetit lejojnë krijimin e materialeve dhe substancave me cilësi shumë më të lartë.
Fantashkenca dhe realiteti
Filmi Minority Report (2002), i vendosur në vitin 2054, parashikoi teknologji që sot janë pjesërisht realitet. Megjithatë, bashkë me përparimin lindin edhe shqetësime për mbikëqyrje dhe kontroll.
Siç shkruante shkrimtari Philip K. Dick, shkenca ka shpëtuar më shumë jetë sesa ka marrë. Dhe pavarësisht dilemave etike, një gjë është e sigurt: deri në vitin 2050, teknologjia do të na detyrojë të rishqyrtojmë thellësisht se çfarë do të thotë të jesh njeri.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






