

Durrës, 6 janar 2026
Situata e përmbytjeve në qarkun e Durrësit mbetet kritike, pasi reshjet intensive kanë shkaktuar depërtim uji në qindra banesa dhe kanë detyruar autoritetet të evakuojnë dhjetëra qytetarë.
Pas mbledhjes së Komitetit të Emergjencave Civile, ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu njoftoi se rreth 800 banesa janë prekur nga uji, ndërsa 180 banorë janë evakuuar për shkak të rrezikut të shtuar.
Sipas tij, zonat më problematike mbeten ish-Këneta, Shkozeti dhe ish-Nishtulla, ku niveli i ujit vijon të jetë i lartë. Në terren janë angazhuar strukturat civile dhe Forcat e Armatosura, të cilat po punojnë paralelisht me shërbimet e Bashkisë së Durrësit për largimin e ujërave dhe garantimin e sigurisë së banorëve.
“Situata mbetet dinamike. Nuk do të largohemi nga terreni derisa uji të tërhiqet plotësisht. Reshjet pritet të vazhdojnë edhe gjatë natës”, deklaroi Vengu.
Banorët e evakuuar janë strehuar në dy kavalishenca të Ministrisë së Brendshme dhe asaj të Mbrojtjes, ku po marrin ndihmë ushqimore dhe mjekësore sipas nevojës.
Autoritetet po monitorojnë me vëmendje edhe basenin e lumit Erzen, pasi prurjet e shtuara mund të sjellin përkeqësim të situatës edhe në zonën e Shijakut.
Nga ana e saj, kryetarja e Bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako, bëri të ditur se një pjesë e banorëve fillimisht kanë refuzuar evakuimin, por ndërhyrja u bë e domosdoshme për shkak të intensitetit të reshjeve dhe rrezikut real për jetën.
Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të ndjekin udhëzimet e strukturave të emergjencës dhe të shmangin lëvizjet e panevojshme në zonat e rrezikuara.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






