

Vala e fundit e arrestimeve dhe hetimeve të profilit të lartë nga Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka tronditur skenën politike shqiptare, duke nxjerrë në dritë afera të denoncuara prej vitesh. Megjithatë, sipas analistit Andi Bushati, pyetja thelbësore nuk është pse këto skandale ekzistojnë, por pse po zbardhen pikërisht tani.
Duke folur në një intervistë për Syri TV, Bushati tha se ndryshimi i dukshëm në veprimtarinë e SPAK-ut nuk buron nga një pavarësi e re e sistemit të drejtësisë, por nga një zhvendosje e influencave që e kontrollojnë atë. Sipas tij, SPAK-u nuk është “trimëruar”, por ka ndërruar “padron”.
“I njëjti kamxhik ka ndërruar dorën e pronarit”, u shpreh Bushati, duke sugjeruar se një ndryshim në balancat e fuqive ndërkombëtare, veçanërisht në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka ndikuar drejtpërdrejt në intensifikimin e hetimeve ndaj zyrtarëve të lartë.
Sipas analistit, dosjet që sot po bëhen publike kanë ekzistuar prej vitesh dhe nuk janë krijuar rishtazi. Ai përmendi konkretisht çështje si dosja “Balluku” apo raste të tjera, për të cilat, sipas tij, ka pasur denoncime dhe materiale hetimore prej kohësh. “Skandalet nuk janë të reja. Ato kanë qenë aty. Ajo që ka ndryshuar është momenti kur po përdoren”, tha Bushati.
Ky ndryshim, sipas tij, reflektohet qartë edhe në sjelljen dhe retorikën e Kryeministrit Edi Rama. Nga një mbështetës i palëkundur i reformës në drejtësi dhe i SPAK-ut, Rama ka kaluar, sipas Bushatit, në një kritik të hapur të metodave të prokurorisë, duke i krahasuar ato me praktikat e ish-Sigurimit të Shtetit dhe duke denoncuar numrin e lartë të masave të paraburgimit.
Bushati vlerëson se kjo qasje e re e Ramës tregon se diçka ka ndryshuar në raportet e pushtetit. “Rama nuk flet më si më parë për hapjen e rrugës drejtësisë. Ka një fjalor të ri, që tregon se ai ndjen se kontrolli i mëparshëm mbi lojën mund të jetë lëkundur”, u shpreh analisti.
Në analizën e tij, Bushati u ndal edhe te rasti i Belinda Ballukut, të cilën e cilëson si një figurë tashmë “të djegur” politikisht dhe të pavlefshme për çdo marrëveshje apo ndikim. Sipas tij, zvarritja e procesit nuk ka të bëjë me mbrojtjen personale të Ballukut, por me përpjekjen e Ramës për të fituar kohë dhe për të kuptuar se nga po i vjen presioni real.
“Rama nuk ka interes të mbrojë një figurë të djegur. Interesi i tij është të kuptojë nëse SPAK-u ka ndërruar padron dhe çfarë do të thotë kjo për fatin e tij politik dhe personal”, tha Bushati.
Analisti shtoi se, ndryshe nga raste të mëparshme në politikën shqiptare, Rama e ka të qartë se një largim i negociuar nga pushteti nuk garanton imunitet nga ndjekja penale. Për këtë arsye, sipas Bushatit, kryeministri është “i dënuar” të rezistojë deri në fund, edhe përmes skenarëve ekstremë.
Në përfundim, Bushati theksoi se, paradoksalisht, interesi personal i Ramës për të mos bërë pazar me pushtetin përkon me interesin publik. “Shqipëria nuk ka nevojë për një zgjidhje të pistë. Përballja duhet të jetë frontale dhe e keqja duhet të shkojë deri në fund për t’u mundur”, u shpreh ai.
Analiza e plotë e Bushatit
Skandalet ishin aty, thjesht ata që i kishin denoncuar, morën një konfirmim përmes dosjeve që u zbardhën nga, nga SPAK-u. Pra, skandalet nuk janë të sotme, skandalet janë të vjetra. Dhe pyetja që të vjen logjikshëm është, pse për skandalet e vjetra që plasin tani, kush e reja dhe çfarë ka ndryshuar? E vetmja gjë që ne mund të hamendësojmë, pa pasur fakte, që ka ndryshuar, është ndryshimi i padronit të SPAK-ut. Pra, se ne këtë SPAK kemi pasur dhe këto dosje me denoncime të vjetra kanë qenë po aty. Pra, dosja Balluku, minimumi, Evis Berberi ka dy vjet e ca i arrestuar, se kjo e Alqit është pak më e vjetër. Pra, çfarë ka ndryshuar te SPAK-u? Dhe pyetja që shtrohet është, mos ndoshta ndryshimi i pushtetit në SHBA ka sjellë dhe një trimërim të SPAK-ut apo trimërim do ishte llaf i madh në fakt për prokurorët e SPAK-ut, po mos ëh, një ndryshim, i njëjti kamxhik ka ndërruar dorën e e pronarit.
Ne jemi gazetarë dhe padyshim që ne mund të hedhim hipoteza, por ëh, një nga hipotezat pa fakte, por e logjikshme është kjo, sepse çfarë ndryshoi? Çfarë ndryshoi që ëh, në qoftë se deri tani zyrtarët e lartë, SPAK-u i merrte, por i merrte për vilat apo për fustanet e grave, sot i merr për procedura që kanë lidhje me Edi Ramën. Pse Edi Rama në dy rastet e fundit po sillet ndryshe nga ç’ sill përpara. Pra duket sikur ka një thyerje apo një ndryshim. Ne akoma nuk kemi fakte për të shpjeguar se çfarë është ky ndryshim dhe prandaj mund të ngremë vetëm hipoteza dhe hipoteza më e pranueshme që më vjen mua në mendje është kjo që ëh i njëjti SPAK, të njëjtët prokurorë që e kanë demonstruar tashmë, s’duhet të kemi asnjë iluzion për ta, që shërbejnë si kamzhik, mos kamzhiku ka ndryshuar pronar. Mëkati i Ramës nuk është që shkel procedura parlamentare, se e ka bërë këtë gjë që kur është në pushtet. E reja në sjelljen e Ramës është që ka ndryshuar qasje dhe ka ndryshuar fjalor në raport me drejtësinë dhe në raport me SPAK-un.
Domethënë nga fjalori i Ramës janë hequr, ne s’do bëhemi më avokatët e njerëzve tanë që akuzohen. Në fjalorin e Ramës nuk është më që ne do i hapim në çdo rast rrugë drejtësisë. Dhe ky fjalori i dikurshëm është zëvendësuar me një fjalor të ri që unë s’mund të jem kryeministri i një vendi ku ka më shumë të paraburgosur sesa të burgosur me dënime të formës së prerë. Të një SPAK-u që bën hetuesi me metodat e sigurimit të shtetit. Pra duket, ajo që thamë në pjesën e parë të bisedës, duket që edhe Rama në raport me drejtësinë ka një qasje të re. Dhe kjo qasje e re tregon që ka një thyerje. Diçka i ka lëvizur këtij regjimi nga dora. Dhe fakti që tentohet të shtyhet procesi i Balluku, unë mendoj se Rama nuk do të shpëtojë Ballukun. Rama Nuk ishte pyetja ime në fakt kjo. Belinda Balluku ishte një njeri pa shkollë të mesme. Pra, nuk ishte aty për vlerat e saj intelektuale. Ishte aty se ishte një zbatuese e bindur e urdhrave të kryeministrit, ashtu siç e kemi parë dhe në dosje, këta këto, këtë biznesmenin jepi filan tender, këtë jepja filanit e të tjerë e të tjerë. Dhe në këtë kuptim Ramës nuk i intereson fati personal i Ballukut.
Por në qoftë se i qëndrojmë tezës së parë që thamë pak më parë, që këtu jemi përballë një të panjohure për Ramën se SPAK-u mund të ketë ndërruar padron, thjesht zvarritja për Ballukun nuk është mbrojtje e Ballukut, por është fitimi i kohës për negociatave ndaj ndaj Ramës. Rama po ndoshta, ndoshta po e kupton që është përballë një të panjohure, që loja që kishte nën kontroll mund të jetë lëkundur apo mund t’i ketë ndryshuar. Dhe për të kuptuar deri në fund lojën, po përpiqet të fitojë kohë me Ballukun, se Balluku si zëvendës kryeministre Ramës nuk i shërben më. Po ju mendo, asnjë kriminel që do të vjedhi vota, nuk shkon sot të negociojë me Ballukun se e di që është e përgjuar. Asnjë biznesmen që do të marri një tender, nuk shkon sot të trokasi te zyra e Belindës se di që është e djegur. Pra atëherë ç’i duhet Ramës të mbrojë një njeri të djegur? Nuk i shërben fare. I shërben thjesht për faktin se s’po e dorëzon për arsye se do të kuptojë nga po i vjen cunami. Edi Rama nuk do negociojë në asnjë moment një dalje të butë nga pushteti. Domethënë ti qëndron prapë tek teza e traumatike që ke thënë. Largimi traumatik si një diktator, disa muaj më parë, vetë Ramës nuk do i leverdiste një gjë e tillë.
Berisha ishte para presionit të madh, emrin, vulën e mori nga lart. Basha u kujtoi se duke pasur perandorinë mund t’ia hidhte. Berisha tha, unë, Zoti dhe krahët e mia. S’ka rëndësi kush e kishte mirë, kush e kishte gabim. Po Rama ka marrë shembullin që edhe sot mund të negociosh largimin nga pushteti, por kjo nuk është automatikisht që të shpëton nga burgu. Kështu që në një farë mënyre Rama është i dënuar të rezistojë deri në fund. Pra t’i çojë njerëzit e tij, ato 83 votat e famshme që thotë në parlament, mos dorëzohen, të shkojë deri në një skenar hipotetik të shkrirjes së SPAK-ut apo ku e di unë, por, por vetëm kjo mund ta mbajë. Tani ky është interesi thjesht personal i Ramës. Unë mendoj që edhe interesi publik në mënyrë paradoksale këtu puqet me interesin e Ramës. Pse? Sepse Shqipëria nuk duhet të bëjë prapë një zgjidhje të pistë me një deal. Ne me këtë pushtet, të paktën ne që pretendojmë që ky është një regjim që vjedh vota, që na ka vjedhur si qytetarë e të tjerë, ndeshja duhet të jetë frontale. Rama nuk duhet të iki me pazar. Rama duhet të mundet brenda këtij ky tereni. Kështu që prandaj them paradoksalisht në këtë rast interesi i Ramës puqet me interesin publik sepse e keqja duhet të shkojë deri në fund dhe pastaj duhet të mundet.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






