Transmetuar më 06-01-2026, 21:09

Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka reaguar ashpër lidhur me situatën e përmbytjeve në Durrës, duke akuzuar qeverinë dhe bashkinë për korrupsion masiv dhe keqmenaxhim të fondeve publike.

Në një deklaratë publike, Meta u shpreh se përmbytjet nuk janë pasojë e reshjeve të shiut, por e korrupsionit të strukturuar, duke theksuar se mbi 46 milionë euro janë shpenzuar për investime në rrjetin e ujësjellës-kanalizimeve dhe hidrovore, të cilat, sipas tij, nuk funksionojnë.

“Durrësin nuk e përmbyti shiu, por korrupsioni i organizuar i një bande kusarësh në bashki dhe në qeveri, të cilët përpinë mbi 46 milionë euro në të ashtuquajtura investime për rrjetin e ujësjellës-kanalizimeve dhe hidrovore, që nuk punojnë”, deklaroi Meta.

Ai i cilësoi përgjegjës institucionet vendore dhe qendrore për dëmet e shkaktuara, duke theksuar se mijëra familje në Durrës janë përballur me humbje të mëdha materiale.

“Këta kusarë janë drejtpërdrejt përgjegjës për dëmet e shumta materiale që mijëra familje shqiptare në Durrës pësuan sot nga hajdutëria rilindase”, theksoi Meta.

Deklarata vjen në një kohë kur përmbytjet kanë prekur disa zona të vendit, duke rikthyer në vëmendje debatin mbi infrastrukturën, investimet publike dhe përgjegjësinë institucionale.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit