

6 Janar 2026 – Reshjet e dendura të shiut ditën e sotme kanë shkaktuar problematika të shumta në disa qarqe të vendit.
Durrësi u paralizua nga përmbytjet: rrugët kryesore, lagjet dhe autostrada Tiranë-Durrës u bënë të pakalueshme. Disa shkolla dhe tregje pezulluan aktivitetin. Edhe kati i parë i burgut u detyrua të evakuohej pasi u përmbyt.
Sipas Institutit të Gjeoshkencave (IGJEO), reshje intensive priten deri paraditen e së enjtes. “Do të vazhdojë të jetë kritike për shkak të intensitetit të shtuar të reshjeve, të cilat kryesisht janë të fokusuara në veri dhe jug të vendit, ndërsa në qarkun e Gjirokastrës dhe të Vlorës presim reshje intensive, lokalisht shumë intensive,” tha Anira Gjoni, specialiste e IGJEO.
Në qarqet Shkodër, Kukës, Dibër, Lezhë, Durrës, Elbasan, Vlorë dhe Gjirokastër mund të ketë vërshime të shpejta të lumenjve të vegjël malorë dhe rrëshqitje dherash. Situata problematike do të vijojë edhe në qarkun e Durrësit, edhe pse intensiteti i reshjeve është më i ulët.
“I gjithë qarku i Durrësit pritet që reshjet të vijojnë përgjatë pasdites së sotme dhe ditës së nesërme të jenë mesatare, lokalisht intensive. Kjo sjell problematika në qendrat urbane për shkak të vërshimit të shpejtë të ujit,” sqaron specialistja.
Sipas llogaritjeve hidrologjike të IGJEO-s, reshjet me intensitet të lartë do të shkaktojnë rritje të rrezikshme të prurjeve dhe niveleve të lumenjve, ku më problematikë situata pritet të jetë në lumenjtë Drin-Buna dhe Liqenin e Shkodrës.
Të enjten, temperaturat do të pësojnë ulje të ndjeshme dhe reshjet e shiut do të zëvendësohen me reshje dëbore.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






