

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj ka dekretuar ligjin për rivlerësimin e pasurive të paluajtshme, duke hapur zyrtarisht rrugën për nisjen e këtij procesi në të gjithë vendin.
Pas dekretimit dhe publikimit në Fletoren Zyrtare, ligji do të hyjë menjëherë në fuqi. Sipas afateve ligjore, publikimi pritet të bëhet brenda 14 ditëve, dhe nëse respektohen limitet maksimale, rivlerësimi do të nisë zyrtarisht më 20 janar 2026, raporton noa.al.
Procesi i rivlerësimit do të shtrihet nga janari deri në dhjetor të vitit 2026, duke përfshirë të gjithë territorin e vendit. Nuk përjashtohet mundësia që fushata të shtyhet edhe në vitin 2027, ashtu siç ka ndodhur në raste të mëparshme.
Rivlerësimi do të kryhet me një normë tatimore prej 5%, ndjeshëm më e ulët se norma aktuale 15% që aplikohet në rast shitjeje të pronës. Megjithatë, kjo përqindje prej 5% përbën normën më të lartë të aplikuar ndonjëherë në proceset e rivlerësimit, pasi në rivlerësimet e mëparshme tatimi ka qenë nga 1% deri në 3%.
Norma prej 5% do të jetë e njëjtë si për individët ashtu edhe për bizneset. Tatimi do të paguhet mbi diferencën mes vlerës së regjistruar në kadastër dhe vlerës së re të pronës.
Për herë të parë, ligji parashikon edhe njohjen e amortizimit të pronës, pra vjetërsinë e saj. Kjo do të thotë se sa më e vjetër të jetë prona, aq më i ulët do të jetë tatimi që do të paguhet pas rivlerësimit.
Një tjetër element i rëndësishëm është se gjatë këtij viti do të hyjnë në fuqi çmimet e reja të referencës për pasuritë e paluajtshme, të konsultuara gjatë vitit 2025. Si pasojë, me përjashtim të Tiranës, vlera e pronave në pjesën më të madhe të vendit pritet të rritet.
Rivlerësimi i fundit i pasurive të paluajtshme u zhvillua në periudhën 2020–2022, me normë tatimore 3%, dhe përfshiu rreth 94 mijë pasuri në pronësi të qytetarëve dhe bizneseve shqiptare.
Nga ajo fushatë, buxheti i shtetit përfitoi qindra milionë euro, një efekt financiar që pritet të përsëritet edhe këtë herë me nisjen e procesit të ri të rivlerësimit.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






