

Durrës, 6 janar 2026 – Reshjet intensive të shiut gjatë orëve të fundit kanë shkaktuar përmbytje në disa zona të qytetit të Durrësit, duke krijuar vështirësi në infrastrukturë, banesa dhe institucione publike.
Situata ka prekur edhe Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale (IEVP) në Durrës, ku si pasojë e vërshimit të ujit janë përmbytur ambientet e jashtme të hyrjes dhe raportohet se janë prekur disa qeli në katin e parë të godinës.
Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, ka mbërritur mesditën e sotme në ambientet e institucionit për të ndjekur nga afër gjendjen e krijuar. Ai bëri të ditur se janë marrë masa të menjëhershme për garantimin e sigurisë.
“Janë marrë të gjitha masat e nevojshme, përfshirë stakimin e energjisë elektrike në katin e parë dhe evakuimin e personave në katet më sipër. Situata po mbahet në monitorim të vazhdueshëm deri në rikthimin e plotë në normalitet”, u shpreh ministri Lamallari.
Nga ana e tij, Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Klevis Qose, deklaroi se situata është nën kontroll dhe se po kryhen furnizimet e nevojshme me mjete logjistike për përballimin e emergjencës.
Ndërkohë, përmbytjet vijojnë të mbeten problematike edhe në zona të tjera të Durrësit, ku raportohet për banesa të përmbytura dhe qytetarë që po përballen me vështirësi prej disa orësh si pasojë e reshjeve të dendura.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






