

Fushë-Krujë, 6 janar 2026 – Reshjet e dendura të shiut kanë bërë që lumi Ishëm të dalë nga shtrati, duke përmbytur qindra hektarë tokë bujqësore në zonën e Fushë-Krujës.
Si pasojë e përmbytjeve, janë bllokuar edhe dy lagje në fshatin Murqinë, ndërsa situata vijon të mbetet problematike edhe në disa fshatra të tjerë përreth. Në Bubq, Gramzë, Derven, Luz, Malkuç, Murqinë dhe Bilaj, mosfunksionimi i kanaleve kulluese ka përkeqësuar situatën, duke lënë nën ujë sipërfaqe të mëdha toke dhe duke përmbytur rrugë dhe akse lidhëse.
Sipas informacioneve nga terreni, deri më tani nuk është evidentuar ndërhyrje nga strukturat e bashkisë, prefekturës apo emergjencave civile. Ndërkohë, edhe pse reshjet kanë ndaluar përkohësisht, parashikimet meteorologjike tregojnë se pritet rikthimi i tyre, çka mund të çojë në përkeqësim të mëtejshëm të situatës.
Banorët e zonës shprehen të shqetësuar për dëmet në bujqësi dhe për vështirësitë në lëvizje, duke kërkuar ndërhyrje të menjëhershme nga institucionet përgjegjëse.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






