

Instituti i Gjeoshkencave (IGJEO) ka publikuar parashikimin e motit dhe vlerësimin e rrezikut nga reshjet intensive dhe përmbytjet për pasditen e sotme dhe ditën e nesërme.
Sipas IGJEO-s, sot pasdite (e martë, 06 janar) dhe nesër (e mërkurë, 07 janar) priten reshje intensive, kryesisht në veri dhe jug të vendit. Qarqet Shkodër, Kukës, Dibër, Lezhë, Durrës, Elbasan, Vlorë dhe Gjirokastër paraqiten më të rrezikuara nga vërshime të shpejta të lumenjve të vegjël malorë, si dhe nga rrëshqitje dherash.
Në zonat urbane të këtyre qarqeve, reshjet intensive mund të shkaktojnë përmbytje të lokalizuara, në varësi të gjendjes së rrjeteve të kanalizimeve.
Sipas llogaritjeve hidrologjike të IGJEO-s, si pasojë e reshjeve të dendura të rëna gjatë ditëve të fundit, të cilat pritet të vijojnë deri të enjten, më 8 janar, do të ketë rritje të ndjeshme të prurjeve dhe niveleve në lumenjtë Drin–Bunë, Liqenin e Shkodrës, lumin Mat, Shkumbin dhe Vjosë. Lumi Drin–Bunë dhe Liqeni i Shkodrës paraqesin rrezik të shtuar për përmbytje gjatë ditës së sotme dhe nesër. Parashikimi i motit
Sot pasdite dhe nesër, në qarqet Vlorë dhe Gjirokastër priten reshje intensive deri lokalisht shumë intensive, ndërsa në qarqet Shkodër dhe Lezhë reshjet pritet të jenë intensive. Në qarqet e tjera parashikohen reshje mesatare deri lokalisht intensive, të shoqëruara me shtrëngata.
Në veri, lindje dhe juglindje, në lartësitë mbi 1000 metra mbi nivelin e detit, reshjet do të jenë në formë dëbore.
Temperaturat
Për ditën e nesërme (e mërkurë, 07 janar), temperaturat e ajrit parashikohen:
në zonat bregdetare: 9 – 16°C
në zonat e ulëta: 9 – 16°C
në zonat malore: 3 – 12°C
Era
Era pritet të fryjë mesatare deri e fortë në zonat bregdetare, veçanërisht gjatë pasdites së sotme dhe ditës së nesërme.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






